E marta e parë e këtij nëntori do t’i gjejë 210 milionë votuesit e regjistruar në Amerikë me mundësinë për të ripërcaktuar përbërjen e Kongresit – organit legjislativ të superfuqisë botërore.

Zgjedhjet e mesmandatit, apo “midterms” në anglisht, do të tregojnë se me çfarë fuqie do të udhëheqë Presidenti Donald Trump në pjesën e dytë të mandatit të tij si Presidenti i 47-të i SHBA-së.

Të gjitha 435 ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve bashkë me 35 nga 100 ulëset e Senatit janë në fletët e votimit të amerikanëve. Çdo ulëse në Dhomë përfaqëson një distrikt kongresional. Ndërkaq, dy ulëse të Senatit i takojnë secilit nga 50 shtetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mesmandatet konsiderohen një lloj referendumi për punën e Presidentit në detyrë. Historikisht, partia e Presidentit ka humbur mesatarisht 26.5 ulëse në Dhomë që nga viti 1946.

Çfarë mund të humbë Trump?

Aktualisht, republikanët kanë kontroll edhe Dhomën e Përfaqësuesve, edhe Senatin. Humbja e tij në cilindo prej niveleve mund t’u mundësojë Demokratëve bllokimin e nismave ligjore e nisjen e hetimeve ndaj administratës së Trump.

Partisë së Biden, Obama e Bill Clinton do t’u duhen tre ulëse më shumë për të fituar Dhomën e katër për Senatin. Një ndarje 50-50 në Senat e lë atë në dorën e Republikanëve, pasi zëvendëspresidenti JD Vance mund të votojë pas një votimi të barabartë.

Nga 435 ulëset e Dhomës, 35 pritet të determinojnë rezultatin e përgjithshëm. Në këto 35 distrikte të dy partitë kanë gjasa reale për të fituar.

33 ulëset e Senatit do t’u garantojnë senatorëve mandat 6-vjeçar në organin më të lartë të Kongresit. Zgjedhje të jashtëzakonshme do të mbahen edhe për dy ulëset e zbrazëta në Florida dhe Ohio, që kontrolloheshin nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe JD Vance. Pra, gjithsej 35.

Demokratët duhet të ruajnë 13 ulëset që po u kontestohen dhe të rrotullojnë 4 të tjera. Zgjedhjet për Senat që po përcillen me vëmendje të veçantë janë ato në Maine, Karolinë të Veriut, Ohio, Alaska, Kansas dhe Teksas.

Çështjet kryesore të fushatës variojnë nga rritja e çmimeve të karburantit, shpenzimet e banimit e ato për kujdes shëndetësor.

Statistikisht, dalja në votim gjatë mesmandateve është më e ulët se në zgjedhjet presidenciale. Nga viti 1944, mesatarisht 42% kanë votuar në mesmandat krahasuar me 58% për zgjedhje presidenciale.

3 nëntori është data që të gjithë në Amerikë po e presin me padurim. A do të arrijnë Demokratët të kufizojnë fuqinë e Trump-it apo ky i fundit do të arrijë që pazakonshëm të mbajë Kongresin në duart e partisë së tij edhe për dy vjet? Kjo është pyetja që pret përgjigjen.