Mijëra shqiptarë u mblodhën të dielën në Strasburg të Francës për të protestuar kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo protestë u mbajt para Asamblesë së Këshillit të Evropës, aty ku në vitin 2011 ishte miratuar raporti famëkeq i senatorit zviceran, Dick Marty, në të cilin kishte bërë akuza absurde për “trafikim të organeve”.
Gjatë kësaj proteste, Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e UÇK-së ka njoftuar se ka dorëzuar edhe 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës, me shqetësimet e tyre lidhur me procesin në Gjykatën Speciale.
“OVL-UÇK vazhdon angazhimin e saj për drejtësi dhe respektim të të drejtave të luftëtarëve të lirisë”, thuhet në reagimin e tyre.
Protestuesit, shumica e të cilëve mbanin në dorë flamuj kombëtar e të UÇK-së, vazhdimisht kanë brohoritur “UÇK” e “drejtësi për çlirimtarët”.
Protesta në Strasburg është e katërta me radhë që po organizohet nga OVL-UÇK, pas atyre që u mbajtën në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë ku dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet protestuan kundër Gjykatës Speciale.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









