Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë me dije se më 13 dhjetor, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, do të mbahet protesta kundër Gjykatës Speciale e në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

“Më 13 dhjetor, në orën 13:00, organizohet demonstratë në përkrahje të luftëtareve të lirisë që padrejtësisht mbahen në burgjet e Hagës. Në orën 13:00, në sheshin ‘Skënderbe’ në Shkup, organizohet demonstrata”, tha Ahmeti për mediat.

Protesta në Shkup është e pesta me radhë që po organizohet nga OVL-UÇK, pas atyre që u mbajtën në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg, ku dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet protestuan kundër Gjykatës Speciale.

Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.