Në paraqitjen e dëshmitarit të parafundit të mbrojtjes, Michael Durkee, ish-këshilltar i Komandantit të NATO-s, Wesley Clark, Prokuroria Speciale në Hagë ka shpërfaqur haptazi qëllimin e saj për ta akuzuar e dënuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte.

Prokurorja që e mori në pyetje, italiania Silvia D’Ascoli, me njëfarë zelli e nervoze teksa shpjegonte para dëshmitarit aktakuzën e prokurorisë, nuk fliste për krime individuale, por disa herë përmendi frazën “krimet e UÇK-së”.

Kjo qasje e shpërfaq më pastër se çdo gjë tjetër se kjo prokurori dhe kjo gjykatë në të vërtetë targetojnë UÇK-në, e jo individët, siç përpiqen të thonë ata dhe disa eksponentë e përkrahës politikë të pushtetit aktual në Kosovë.

Por kjo nuk është hera e vetme kur prokuroria dhe gjyqtarët, përmes konfirmimit, kanë treguar këtë qëllim.

Është përmendur disa herë neni 35 i aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ky nen, kur e përshkruan Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale për të cilën akuzohen këto katër figura të larta të UÇK-së, i përfshin dhe i bën pjesë të saj, një nga një, krejt pozicionet ushtarake e civile në UÇK, deri te ushtari më i thjeshtë.

Përmendja e disahershme e “krimeve të UÇK-së”, nga ana e prokurorisë, nuk është një devijim gjuhësor. Është zbulimi i një narrative të dizajnuar qëllimshëm dhe qysh në gjenezën e këtij institucioni.

Ky lloj diskursi, ky synim i prokurorisë, krijon efekt zinxhiror: e kriminalizon kryengritjen kundër okupimit dhe më pas kriminalizon vetë të drejtën e popullit për t’u çliruar.

Neni 35 i aktakuzës, me përfshirjen e çdo individi apo hallke të UÇK-së, nga komandantët deri te ushtari më i thjeshtë, është prova tjetër se qasja e prokurorisë është strukturore. Po ndërtohet ideja se vetë UÇK-ja, si organizatë, ka qenë një ndërmarrje kriminale.

Dhe kjo është pikërisht ajo që Serbia ka pretenduar për 25 vjet.

E tani na shfaqet në anglisht, në një sallë gjyqi në Hagë, nga një institucion i krijuar në mirëbesim nga vetë Kosova.

E gjithë kjo përpjekje e prokurorisë përbën një prej rreziqeve më të mëdha, jo vetëm për historinë e Kosovës dhe luftën e saj, por edhe për drejtësinë: sepse gjykata që pretendon ta ndajë drejtësinë nga politika, de facto po prodhon politikë nën petkun e drejtësisë.

Dhe kur politika futet në sallën e gjyqit, është drejtësia ajo që del nga salla si e cenuar.