Tifogrupet e ekipeve të Kosovës kanë protestuar këtë të diel në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në protestë kanë marrë pjesë tifogrupi i Prishtinës “Plisat”, tifogrupi i Vushtrrisë “Forca”, tifogrupi i Trepçës 89 “Torcida”, e pothuajse tifogrupet e çdo ekipi futbollistik në Kosovë.

Slogani i kësaj proteste ka qenë “UÇK nderohet kur shqiptaria bashkohet”.

Protesta janë zhvilluar edhe në vende të tjera si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Zvicër e Gjermani.

Edhe në Kosovë po protestohet që nga dita kur është shpallur aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së.

Në një vendim skandaloz, Gjykata Speciale ka dënuar me rreth 1 shekull burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë dënuar me 81 vjet burgim gjithsej.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim.

Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me 25 vjet burgim.

Specialja e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me 18 vjet burgim.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, me 13 vjet burgim.