Organizatorët e protestës kundër aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me moton “Jo në emrin tim”, kanë zhvilluar të shtunën një aksion simbolik para ndërtesës së Kuvendit, ku u kanë bërë thirrje deputetëve që ta votojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ata kanë vendosur një pankartë të madhe para Kuvendit, ku i kanë shkruar emrat e deputetëve shqiptarë, të cilët i kanë kategorizuar te pjesa e deputetëve për UÇK-në, dhe emrat e deputetëve të Listës Serbe, të cilët i kanë vendosur te pjesa e deputetëve kundër UÇK-së.
Çlirim Haziri, organizator i protestave të përnatshme, derisa u bëri thirrje që të votohet ligji, tha se deputetët shqiptarë kanë obligim kombëtar ndaj UÇK-së.
“UÇK-ja nuk është e partive politike, UÇK-ja është e popullit. Ju jeni deputetë të zgjedhur prej popullit dhe keni obligim moral, kombëtar dhe ligjor ndaj popullit të Kosovës të reflektoni për kërkesat e tyre. UÇK-ja nuk duhet të jetë një temë sekondare për Parlamentin e Kosovës, duhet të jetë në prioritetet e deputetëve tanë”, tha Haziri.
Në orët e vona të së premtes, Qeveria njoftoi se ka miratuar vendimin për ta dërguar në Kuvend Projektligjin për Dhomat e Specializuara.
Ky Projektligj u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës, pasi që Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë dënoi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 81 vjet burgim gjithsej.
Ish-Presidenti, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim, ish-Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, po ashtu me 25, ish-Kryetari tjetër i Kuvendit, Kadri Vesleli, me 18, dhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, me 13 vjet.









