Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dënuar dhe kriminalizuar. Pikë.

Çdo tentativë politike e pushtetit dhe oborrtarëve të tij për ta relativizuar këtë aktgjykim skandaloz duke e shitur si proces ndaj individëve,është thirrje për heshtje dhe rreshtim i plotë me linjën e prokurorisë dhe aktgjykimin që e tjetërson të vërtetën e luftës së Kosovës për liri sipas narrativës së Serbisë.

Përballë kësaj përpjekjeje të atyre që vetë e njollosën UÇK-në me akuzat më monstruoze, qëndrojnë faktet e pakontestueshme.

Trupi Gjykues e kriminalizon UÇK-në jo vetëm si formacion ushtarak.

“UÇK-ja ishte njëkohësisht një strukturë politike dhe ushtarake. Objektivat e UÇK-së përfshinin pavarësinë e Kosovës. Si strategji për arritjen e këtij qëllimi, UÇK-ja zgjodhi të përdorte forcën ushtarake dhe dhunën kundër atyre që e kundërshtonin”, Charles Smith.

Çfarë duhet të thuhet më tepër?

Pra UÇK-ja, si organizim i tërësishëm, jo individëtpërcaktohet zyrtarisht si një strukturë që qëllimet e saj i realizoi përmes dhunës dhe krimit.

Ani pse gjykata përpiqet diku në rreshta të mashtrojë se gjoja nuk po dënohet qëllimi për pavarësi, menjëherë më poshtë rrugën drejt këtij objektivi e quan kriminale, ndërsa pavarësinë e sheh thjesht si një parakusht që UÇK-ja të marrë pushtetin në Kosovë.

“Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit dhe të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, përfshirë anëtarët e pretenduar të ndërmarrjes së përbashkët kriminale (JCE), ndiqnin dy objektiva: sigurimin e pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik dhe institucional mbi atë që ata shpresonin se do të ishte një Kosovë e pavarur”, Charles Smith.

Ky është një paragraf sikur ta kishte shkruar tërësisht prokuroria e Smithit tjetër.

“Në të vërtetë, në vend që të jetë një tregues kundërshtues, logjika dikton se pavarësia do të kishte qenë një parakusht që ata të arrinin plotësisht një kontroll të tillë”, Claire Lawson, prokurore.

Në verdikt theksohet qartë gjithashtu se UÇK-ja kishte një plantë përgjithshëm për krime në të gjithë territorin e Kosovës.

“Ky plan u zbatua në mënyrë sistematike dhe të pamëshirshme, në të gjithë territorin e kontrolluar nga UÇK-ja dhe gjatë gjithë konfliktit”, Charles Smith.

Pra, çka duhet të thuhet tjetër në aktgjykim, se edhe uniformat, këpucët, këngët e UÇK-së ishin kriminale?

Dënimi i UÇK-së ishte një plan që nga fillimi.

Prokuroria që përgatiti këtë aktakuzë që u kthye në aktgjykim, fliste për krime të UÇK-së dhe jo të individëve.

“Të thoshin atë që dinin për krimet e UÇK-së”, Jack Smith, Kryeprokuror.

“Krimet që po kryheshin nga UÇK-ja”, Matt Halling, prokuror.

“Krimet e UÇK-së”, Silvia D’Ascoli, prokurore.

Prokuroria dhe gjyqtarët e zbatuan planin për dënimin e kriminalizimin e UÇK-së në Hagë, tash në Prishtinë pushteti po përpiqet ta implementojë politikisht këtë plan.

Po tenton t’i jap goditjet përfundimtare UÇK-së, duke e vulosur atë si kriminale, në Apel, në çdo shkallë tjetër, e përgjithmonë në librat e historisë.