“Procesi është shumë i rëndë. Procesi është i tillë që s’e ka paramendu askush”, ka thënë ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, derisa ka komentuar gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po zhvillohet në Hagë.

Në një intervistë për Kosova Press, Mustafa ka treguar për historikun e krijimit të Gjykatës Speciale, duke kujtuar se si u ishte bërë e qartë se nëse Kosova nuk e krijon këtë mekanizëm gjyqësor, do ta bënte Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Procesi është shumë i rëndë. Procesi është i tillë që nuk e ka paramenduar askush. Sepse unë kam qenë kryeministër i Kosovës kur është vendosur mbi ndryshimet kushtetuese për themelimin e dhomave të veçanta, edhe kur është dhënë përkrahje kësaj, duke marrë parasysh se neve na e kanë bërë të qartë që në qoftë se Kosova nuk e bën këtë gjykatë, do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ish-kryeministri Mustafa.

Ish-Kryetari i LDK-së përmend faktin se si ish-krerët e UÇK-së ishin akuzuar për trafikim organesh, por që nga kjo akuzë ka hequr dorë edhe Prokuroria.

“Janë akuzuar për trafikim të organeve njerëzore, s’është vërtetuar asgjë nga ajo akuzë. Ka hequr dorë edhe prokuroria për atë akuzë”, ka theksuar Mustafa.

Ai thekson edhe se është munduar që krerët e UÇK-së të akuzohen për gjëra “të cilat totalisht nuk është bind opinioni se ato ato ekzistojnë”.

“Janë trajtu keq. Sepse janë përgju. Do të thotë janë mbajtur në burg dhe janë përgjuar”, potencon Mustafa, duke rikujtuar faktin se si Gjykata Speciale ka përgjuar bisedat private të ish-krerëve të UÇK-së gjatë vizitave që ata kanë pasur nga të afërmit e tyre.

Procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale. Nga 9 shkurti deri më 18 shkurt do të dëgjohen fjalët përfundimtare të palëve, ndërsa pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar.