Pronari i lokalit “Friends” në Mitrovicë të Jugut, Arizon Haziri, ka njoftuar se e ka mbyllur lokalin e tij për sot (e diele, 09 nëntor). Kjo pasi aty planifikohej të realizohej një vizitë e kryetarit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Haziri ka thënë se këtë veprim e ka ndërmarrë “pasi është rrezikuar siguria e qytetarëve”.
“Për shkak të telasheve të vazhdueshme nga të dy palët, kemi vendosur ta mbyllim kafiterinë, pasi është rrezikuar siguria e qytetarëve dhe e imja personale. Provokimet do t’i lëmë anash, sepse siguria është prioritet. Besoj që secili duhet të jetë, qoftë për një moment, nën lëkurën time vetëm atëherë do ta kuptonte çfarë po kaloj”, ka shkruar pronari i lokalit në profilin e tij në Facebook.
Në Mitrovicë të Jugut në balotazh po garojnë Faton Peci i Vetëvendosjes dhe Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës. Në këtë komunë ka shkuar për të paktën tre herë vetë Albin Kurti me ekipën e tij nga niveli qendror për vetëm brenda 24 orësh.
Sot, kur po mbahet raundi i balotazhit, Kurti ka vizituar edhe komunat tjera ku Vetëvendosje është në balotazh.









