Ratko Mlladiç, Kasapi i Bosnjës, që u dënua përjetësisht për krimet makabre në Bosnjë, veçanërisht për Srebrenicën, po e vuante dënimin në qendrën e paraburgimit në Scheveningen të Hagës.
Në të njëjtin kompleks ndalimi, të paraburgosur po qëndrojnë tash e gati 6 vjet krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Një absurd i turpshëm i drejtësisë ndërkombëtare, ku në të njëjtin vend ndodhen viktima dhe xhelati.
Ata që haptazi, para syve të botës, kryen gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe spastrim etnik në Bosnjë në mënyrë sistematike, si dhe krerët e një ushtrie vullnetare popullore, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u ngrit kundër shtypjes, dhunës e spastrimit etnik nga regjimi brutal i Sllobodan Millosheviçit.
Për më tepër, kjo ushtri mori përkrahjen ndërkombëtare, politike e ushtarake, duke intervenuar nga ajri e toka.
Paradoksi rritet se përderisa gjenerali kryesor i NATO-s në atë kohë, Wesley Clark, dëshmoi në Tribunalin për ish-Jugosllavinë kundër Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç – ai u paraqit në Hagë në anën e UÇK-së.
Një akt të tillë e bënë edhe ish-zyrtarë të tjerë të rëndësishëm amerikanë dhe britanikë gjatë viteve 1998–1999, si James Rubin e të tjerë.
Me një paradoks të tillë të drejtësisë ndërkombëtare ishte përballur edhe Fatmir Limaj sa gjykohej në Hagë.
Në të njëjtin kompleks kishte qëndruar edhe krimineli Sllobodan Millosheviç. Të dy madje ishin takuar shkurtazi në ashensor dhe për këtë kishte rrëfyer vetë Limaj.
Ratko Mlladiç u dënua përfundimisht më 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid, veçanërisht për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë; krime kundër njerëzimit — përfshirë vrasjet, dëbimet me forcë, persekutimin mbi baza politike, racore e fetare, si dhe aktet çnjerëzore gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë (1992–1995); si dhe u dënua për krime lufte (shkelje e ligjeve dhe zakoneve të luftës), përfshirë rrethimin dhe bombardimin e gjatë të Sarajevës, ku u vranë mijëra civilë.
Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen nga Prokuroria Speciale në Hagë si ndërmarrje e përbashkët kriminale, duke e llogaritur të gjithë strukturën e UÇK-së si të përfshirë në krime të pretenduara dhe me synimin, sipas prokurorisë, për ta marrë nën kontroll Kosovën.
Kërkesa e prokurorisë për dënimin e tyre është nga 45 vjet për secilin. Aktgjykimi do të jepet më 16 shtator 2026, në orën 10:00.









