Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale, më 16 shtator, e dënoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin më 81 vjet burgim gjithsej.
Për dy nga tre gjyqtarët që e dhanë këtë vendim, rruga drejt asaj salle gjyqi kishte nisur shumë më herët në Kosovë. Përmes EULEX-it.
Në Trupin Gjykues që dënoi ish-krerët e UÇK-së ishin Charles L. Smith III, Christoph Barthe dhe Guénaël Mettraux.
Dy prej tyre kishin pasur më herët role në strukturat e EULEX-it, misionit të dështuar të Bashkimit Evropian që për vite ushtroi funksione ekzekutive në fushën e drejtësisë në Kosovë.
Charles Smith III nuk erdhi për herë të parë në kontakt me sistemin gjyqësor të Kosovës kur u emërua në Dhomat e Specializuara. Ai kishte qenë gjyqtar i EULEX-it nga viti 2010 deri më 2013. Gjatë kësaj periudhe ishte edhe pjesë e Gjykatës Supreme të Kosovës, ndërsa në vitet 2011–2013 mbajti edhe funksionet e zëvendëspresidentit dhe Presidentit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it. Smith, në vitin 2017, u emërua gjyqtar i Dhomave të Specializuara në Hagë.
Edhe Mettraux kishte një rol në strukturat e EULEX-it. Ai ishte president dhe anëtar i EULEX Human Rights Revieë Panel, mekanizmit të krijuar për të shqyrtuar pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut nga EULEX-i gjatë ushtrimit të mandatit të tij në Kosovë.
Pra, dy prej tre gjyqtarëve që më 16 shtator morën pjesë në vendimin më të rëndësishëm të këtij procesi kishin një histori të lidhur më parë me Kosovën dhe me misionin ndërkombëtar të drejtësisë të Bashkimit Evropian.
Por, jo vetëm këta dy. Një numër i madh i personelit të Dhomave të Specializuara më parë ka shërbyer në EULEX.
Çfarë panë ata në Hagë që nuk panë gjatë kohës kur ishin në EULEX?
Smith ishte gjyqtar i EULEX-it pikërisht në vitet kur në Kosovë zhvilloheshin disa prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Ai ishte në Kosovë kur EULEX-i kishte kompetenca në ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës dhe kur çështje të tilla kalonin nëpër gjykatat ku shërbenin gjyqtarë ndërkombëtarë.
Dhe, në gjykimin e këtyre rasteve ai nuk ka histori të mirë.
Kjo konfirmohet nga një email i 29 janarit 2013, në të cilin Smith i thoshte kryetarit të gjykatësve në EULEX, Malcom Simmons, se “[Rasti Kleçka] të caktohet për gjykim sa më shpejt që të jetë e mundur. Ka një sërë arsyesh për këtë… shumica prej tyre politike”.
Madje, sipas Simmons, Smith shkonte më tutje, duke thënë se të pandehurit duhet të dënoheshin sepse këtë po e priste misioni i EULEX-it.
Smith, në kundërshtim me ligjin, bënte politikë me rastet gjyqësore. Diçka që është e ndaluar rreptësishtë dhe e dënueshme në çdo vend demokratik.









