Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, i është drejtuar me një letër të hapur Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke i bërë thirrje që menjëherë të ndalë fushatën e njollosjes ndaj gazetarëve që po zhvillohet nga anëtari i partisë së tij, Sami Kurteshi.
Kjo letër e Gutierrez vjen pasi që Kurteshi, pos konfrontimeve verbale me gazetarë e fyerjeve dhe ofendimeve, e ka quajtur Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës “aleancë e grupeve kriminale”.
“Krahasimi i një organizate të respektuar të gazetarëve evropianë me një grup kriminal është skandaloz dhe i padenjë. AGK është një organizatë e respektuar që thjesht po e kryen punën e saj: të mbrojë gazetarët dhe gazetarinë”, theksoi Gutierrez.
Duke toleruar deklarime të tilla, ai i tha Kurtit se “ju po i dëmtoni gazetarët, kredibilitetin e tyre dhe vendin tuaj, duke lejuar që partia juaj, VV, të nënçmojë këdo që guxon t’ju kërkojë juve apo politikëbërësve të tjerë llogari”.
“Turp për partinë tuaj! Ju bëj thirrje ta ndalni këtë intimidim para se të jetë vonë. Kam parë shumë gazetarë të pësojnë abuzime dhe sulme fizike, shpesh pas denigrimit publik. Ju keni përgjegjësi t’i jepni fund këtyre praktikave me nuanca mafioze”, shtoi.
Përndryshe, Gutierrez i ka thënë Kurtit se “do të jeni bashkëpjesëmarrës në to”.









