Prokurorët në Milan kanë hapur hetime për italianë që pretendohet të kenë paguar shuma ndaj ushtarëve të ushtrisë serbo-boshnjake për të udhëtuar drejt Sarajevës, në mënyrë që të mund të vrisnin qytetarë gjatë rrethimit 4-vjecar të këtij qyteti në vitet e 90-ta.
Më shumë se 100 mijë njerëz u vranë në Sarajevë nga granatime dhe qitje me snajper të vazhdueshme mes viteve 1992 dhe 1996, në çfarë njihet si pushtimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina deklaroi pavarësinë nga Jugosllavia.
Snajperistët ishin me shumë gjasë elementi më i frikshëm i jetesës nën rrethimin e Sarajevës, sepse ata vrisnin njerëz në rrugë, përfshirë fëmijët, pa ndonjë shkas, sikur të ishte një video-lojë.
Grupe me italianë dhe nacionalitete të tjera, të ashtuquajtura “snajperistët turistë”, pretendohet të kenë marrë pjesë në kryerjen e masakrës pasi paguan shuma të mëdha parash tek ushtarë që i përkisnin ushtrisë së Radovan Karaxhic, liderit serbo-boshnjak që në vitin 2016 u gjet fajtor për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit. Pagesat u bënë që këta persona të mund udhëtonin drejt kodrave që rrethojnë Sarajvën, në mënyrë që të mund të gjuanin tek popullata për kënaqësi.
Prokurorët në Milano, të udhëhequr nga Alessandro Gobbi, kanë nisur një hetim me qëllim identifikimin e shtetasve italianë të përfshirë në akuza për vrasje të qëllimshme, të motivuar nga mizoria dhe motive tjera të ulëta.
Hetimi filloi pas një kallëzimi penal të dorëzuar nga shkrimtari milanez Ezio Gavazzeni, i cili kishte mbledhur prova mbi pretendimet, si dhe nga një raport dërguar prokurorisë nga ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariç.
Prokurori Gavazzeni ka treguar se për ngjarjen për herë të parë kishte lexuar në shtypin italian të viteve 1990, por se vetëm pas shikimit të dokumentarit Sarajevo Safari të vitit 2022, realizuar nga regjisori slloven Miran Zupaniç, kishte nisur ta hetonte çështjen në mënyrë të pavarur.
Në dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor deklaronin se grupe perëndimorësh paguanin shuma të mëdha për të qëlluar mbi civilët nga kodrat përreth Sarajevës. Këto pretendime janë mohuar fuqishëm nga veteranët e luftës serbe, por filmi ndezi interesin publik dhe shkaktoi tronditje në rajon.
“Sarajevo Safari ishte pika e nisjes,” ka thënë Gavazzeni. “Nisa të komunikoj me regjisorin dhe prej andej e zgjeroja hetimin derisa mblodha mjaftueshëm material për ta paraqitur rastin te prokurorët e Milanos.”
Sipas tij, “shumë, shumë, shumë italianë” dyshohet se ishin përfshirë në këtë praktikë çnjerëzore, ndonëse nuk ka dhënë një numër konkret. “Kishte gjermanë, francezë, anglezë… njerëz nga të gjitha vendet perëndimore që paguanin shuma të mëdha për t’u çuar atje dhe për të qëlluar civilë,” ka shtuar ai.
“Nuk kishte motiv politik apo fetar,” ka vijuar Gavazzeni. “Ishin njerëz të pasur që shkonin atje për qejf, për kënaqësi personale. Po flasim për individë që adhuronin armët, që ndoshta shkonin në poligone qitjeje edhe në safari në Afrikë.”
Ai pretendon se të dyshuarit italianë mblidheshin në qytetin verior të Triestes dhe më pas udhëtonin drejt Beogradit, prej nga ushtarë të ushtrisë serbo-boshnjake i shoqëronin drejt kodrave të Sarajevës.
“Ekzistonte një trafik i të ashtuquajturve ‘turistë lufte’, që shkonin atje për të qëlluar mbi njerëz. Unë e quaj një formë të indiferencës ndaj së keqes,” ka deklaruar ai.
Gavazzeni thotë se ka identifikuar disa nga shtetasit italianë të dyshuar për përfshirje, të cilët pritet të thirren për t’u marrë në pyetje nga prokurorët në javët e ardhshme.
Nga ngjarjet më të njohura të vrasjeve nga snajperët janë ajo e Boško Brkiç dhe Admira Ismiç, një çift që u bë simbol i dashurisë gjatë luftës, të njohur edhe si “Romeo dhe Zhulieta e Sarajevës”, të cilët u qëlluan për vdekje në vitin 1993 ndërsa përpiqeshin të kalonin një urë.
Trupat e tyre qëndruan për ditë të tëra në zonën neutrale midis forcave boshnjake dhe atyre serbo-boshnjake. Fotot e tyre u përhapën në mediat botërore dhe u bënë simbol i rastësisë dhe çnjerëzimit të luftës.
Rruga kryesore që të çon në qendër të qytetit, Bulevardi Mesha Selimoviç, u quajt më pas “Rrugica e Snajperëve”, pasi çdo lëvizje aty ishte rrezik për jetën. Autobusët dhe tramvajet kishin dritaret e thyera nga plumbat, dhe kudo ndodheshin paralajmërime për snajperë.
Avokati Nicola Brigida, që ndihmoi Gavazzenin në përgatitjen e kallëzimit penal, deklaroi:
“Provat e grumbulluara pas një hetimi të gjatë janë të mirë-argumentuara dhe mund të çojnë në hetime serioze për identifikimin e fajtorëve. Pjesë e provave gjithashtu është edhe raporti i ish-kryetares së Sarajevës që e mbështet hetimin.”








