Nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur të shqetësuar lidhur me, siç thonë ata, “sulmin e organizuar kibernetik dhe fushatën e koordinuar të manipulimit digjital” ndaj komunikimit publik të Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe thirrjes së tij për Tubimin e Bashkimit.

Ata kanë pretenduar se brenda pak minutash, “mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në platformat sociale, në një përpjekje të qartë për të deformuar perceptimin publik, për të ulur artificialisht besueshmërinë e komunikimit politik dhe për të krijuar atmosferë të rreme refuzimi e polarizimi”.

“Kjo nuk është më një garë normale politike. Kjo është një përpjekje për ta zëvendësuar debatin demokratik me operacione psikologjike e propagandistike në hapësirën digjitale”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ata i kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që “të jenë të vetëdijshëm se kjo pritet të jetë një nga strategjitë kryesore të fushatës së ardhshme zgjedhore: rrënimi i kredibilitetit përmes manipulimit digjital, propagandës së organizuar dhe ndërhyrjeve hibride në opinionin publik”.

LDK-ja e ka dënuar çdo ndërhyrje të tillë dhe “rithekson se vullneti qytetar nuk mund të manipulohet nga ushtri profilesh false, rrjete anonime apo mekanizma propagande”.

Këtë të diel, LDK do të mbajë, siç po e quajnë ata, tubimin e bashkimit, ku do të zyrtarizohet bashkëpunimi i Vjosa Osmanit me Lumir Abdixhikun.

Në bazë të marrëveshjes, Osmani do të jetë bartëse e listës së LDK-së dhe do t’i ketë 20 kandidatë për deputetë.