Pas një varg reagimesh nga akterë të pushtetit kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Bashkimi Evropian, ka dalë me thirrje që të mos bëhet presion në këtë organ të drejtësisë, në të cilin të premten e 24 korrikut do të diskutohet për kërkesën e gjyqtarëve serbë të dorëhequr më 2022, për t’u kthyer në punë. BE, në reagimin e saj thotë se sistemi gjyqësor duhet të jetë “i pavarur, i paanshëm dhe jopolitik”.

“BE-ja në Kosovë u bën thirrje të gjitha subjekteve politike të përmbahen nga ushtrimi i presionit ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe anëtarëve të tij në procesin e vendimmarrjes. Një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është thelbësor për sundimin e ligjit në BE dhe në Kosovë”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Akterë të pushtetit, përfshirë deputetë të zgjedhur, kanë hedhur pretendime se në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të premten, ka anëtarë të cilët do të votojnë pro tërheqjes së dorëheqjes së gjyqtarëve serbë.

Një kërkesë të njëjtë, e kishin parashtruar edhe prokurorët serbë të dorëhequr më 2022 nga sistemi prokurorial i Kosovës.

Në mbledhjen e mbajtur më 20 korrik, Këshilli Prokurorial ua refuzoi të njëjtëve kërkesat.

Më pas, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, nënshkroi dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb.