Koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, është fotografuar të mërkurën sërish me zyrtaren e Njësisë Speciale Operative, Marigona Beadini.
Ajo dyshohet se kujdeset për sigurinë e Dejona Mihalit, ndonëse shefja e VV-së nuk ka asnjë pozitë në institucionet e Republikës së Kosovës.
Madje, përfshirjen e saj në formë zyrtare e ka mohuar Policia e Kosovës, duke konfirmuar se ajo nuk është pjesë e Njësisë së Mbrojtjes së Afërt.
“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se zyrtarja në fjalë nuk është e angazhuar në detyrë në mbrojtje të afërt”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për VOX Kosova.
Bazuar në këtë, rezulton që e njëjta, në cilësinë e sigurimit privat, po vepron kundërligjshëm.
Këtë e ndalon Ligji për Shërbimet Private të Sigurisë.
“Asnjë themelues, pronar, përfaqësues i autorizuar, punëtor sigurimi apo i punësuar tek poseduesi i lejes nuk mund të jetë i punësuar në të njëjtën kohë nga institucionet shtetërore të sigurisë si: Policia e Kosovës, Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, Agjencia Pyjore e Kosovës, Shërbimi Korrektues, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe organi kompetent”, thuhet në nenin 24 të këtij ligji.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Dejona Mihali shihet me këtë zyrtare të Policisë.
Para rreth një viti, kur ishte publikuar një fotografi tjetër, Policia e kishte mohuar se i kishte ofruar siguri Dejona Mihalit.
Ajo gjithashtu ishte parë në mesin e policëve të Njësisë Speciale të Kosovës që udhëhoqën menaxhimin e turmës në protestën e veteranëve të UÇK-së.









