Komandanti i Njësisë së Specializuar të KFOR-it, Gianfranco Di Fiore ka vizituar këtë të enjte(27 gusht) personelin e kësaj njësie e cila aktualisht qëndron në Urën mbi Ibër. Sipas komunikatës së KFOR-it, gjersa kjo forcë “optimizon pozicionimin e tij, përgjegjësia mbetet e pandryshuar”.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes; në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues ndaj çështjeve të sigurisë”, tha KFOR në komunikatë.
KOMUNIKATA NGA KFOR:

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, kishte konfirmuar nisjen e “tranzicionit gradual të pranisë” së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke thënë se ky proces do të jetë “gradual” dhe “në varësi të kushteve”.
“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, ka thënë KFOR.
Për këtë proces, KFOR ka thënë se “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviç, është informuar rregullisht për këtë proces”.









