Richard Grenell, ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, dyshohet se në këmbim të parave i ka ofruar një miliarderi turk qasje të Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe te zyrtarët e tjerë të administratës amerikane në një ngjarje VIP.

Trump urdhëroi hetimin për të përcaktuar nëse njëri prej aleatëve të tij ka përvetësuar në mënyrë të parregullt një donacion të madh që ishte paraparë për Qendrën Kennedy, raportoi të hënën Axios.

Grenell i ka drejtuar biznesmenit turk Turhan Mildon një mesazh në majin e vitit të kaluar, në të cilën dyshohet se ai e ka udhëzuar Mildonin të transferonte rreth 17 milionë dollarë te kompania Texas Armament & Technology, me seli në Hjuston, prej të cilave rreth 6 milionë dollarë do të shkonin për qendrën e arteve skenike.

“Pasi paratë të vijnë në kompaninë këtu, unë do ta organizoj donacionin për Qendrën Kennedy dhe ju do të merrni pjesë në ngjarjet VIP dhe do të keni mundësi të afroheni me administratën, madje edhe me POTUS-in”, thuhet mesazhin e Grenell-it, që u publikua nga media amerikane Axios.

Bashkëshortja e Mildonit, Alina Habba, ish-prokurore federale për Nju Xhersin, ka pretenduar se Qendra Kennedy nuk e ka pranuar kurrë donacionin.

Grenell ka mohuar se e ka dërguar mesazhin dhe i ka cilësuar të pavërteta akuzat ndaj tij.

Kur u kontaktua nga Axios, Grenell nuk pranoi të komentonte, megjithëse më herët i kishte thënë këtij mediumi se akuzat ndaj tij ishin “absurde”.

“Nuk kam kërkuar kurrë që qoftë edhe një cent të dërgohet diku tjetër, duke u shtirur se ishte për Qendrën Kennedy, dhe nuk kam marrë kurrë asnjë pagesë prej tij”, tha ai. “Le të paraqesë prova për atë që po thotë, në vend që të bëjë akuza të tilla absurde”.

Mildoni kaloi më shumë se një vit pa e marrë vesh se Qendra Kennedy nuk e kishte pranuar donacionin e tij. Një pjesë tjetër e parave ishte paraparë për një marrëveshje në Republikën Demokratike të Kongos, hollësitë e së cilës, sic raportojnë mediat amerikane, mbeten të paqarta.

Më pas, më 9 tetor, Habba iu drejtua Trump-it dhe e akuzoi Grenell-in se e kishte mashtruar bashkëshortin e saj për ta bindur të paguante miliona dollarë për një donacion që nuk u realizua kurrë.

Shuma e përmendur nga Habba, sipas The Independent thuhet se ndryshoi. Fillimisht, ajo pretendoi se donacioni i paraparë për qendrën e arteve skenike arrinte në 17 milionë dollarë, por shuma duket se ishte 5.6 milionë dollarë.

“Ajo nuk i kishte të gjitha dokumentet në rregull”, i tha The Independent-it një zyrtar i paidentifikuar i administratës. “Ajo hyri atje e papërgatitur, pa i pasur të gjitha faktet, duke bërtitur se Grenell kishte vjedhur. Dhe faktet vazhdojnë të ndryshojnë… Kjo nuk do të thotë se Ric është jashtë rrezikut. E gjithë kjo duket vërtet e dyshimtë”.

Pasi dëgjoi ankesën e Habbës, Trumpi thirri në zyrë këshilltarin ligjor të Shtëpisë së Bardhë, Ëill Scharf, dhe i kërkoi të hetonte çështjen. Më pas, të dy e telefonuan Grenell-in, i cili i mohoi akuzat.

“Nuk ka asnjë mundësi që kjo të jetë e vërtetë. Kjo është çmenduri”, u tha Grenell, sipas Axios.

Grenell, gjatë kohës sa shërbente në administratën e parë të Trump-it, kishte qenë një nga personat kyç në arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit – nën ndërmjetësimin e Presidentit Trump, më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë.