Administrata e Trump-it të mërkurën vendosi sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, ndërsa i bëri thirrje Moskës të pranojë menjëherë një armëpushim në luftën me Ukrainën.

Presidenti Donald Trump prej javësh kishte sinjalizuar se mund të vendoste masa ndëshkuese ndaj Rusisë për vazhdimin e luftës, por nuk kishte ndërmarrë hapa të mëdhenj deri të mërkurën. Njoftimi erdhi pasi Trump deklaroi se kishte “anuluar” një takim të planifikuar me Putinin, sepse “nuk mendonte se do të arrinin aty ku duhej të arrinin.”

Në komentet e tij nga Zyra Ovale, Trump shpjegoi se “ndjeu se kishte ardhur koha” për vendosjen e sanksioneve, duke theksuar se kishte “pritur gjatë” për t’i vendosur ato. Megjithatë, presidenti amerikan shtoi se shpreson që “nuk do të zgjasin shumë” pasi lufta do të përfundojë.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha në një deklaratë të mërkurën se “ka ardhur koha për të ndalur vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm.”

“Duke qenë se presidenti Putin ka refuzuar t’i japë fund kësaj lufte të pakuptimtë, Thesari po vendos sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinerinë e luftës së Kremlinit,” tha ai.

Bessent shtoi: “Thesari është i përgatitur të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse është e nevojshme për të mbështetur përpjekjet e presidentit Trump për t’i dhënë fund edhe një lufte tjetër. Ne i inkurajojmë aleatët tanë të na bashkohen dhe t’i respektojnë këto sanksione.”

Sanksionet godasin Rosneft-in dhe Lukoil-in, si dhe dhjetëra degë të tyre. Mbretëria e Bashkuar i kishte shënjestruar këto dy kompani nafte javën e kaluar, ndërsa Bashkimi Evropian miratoi të enjten në mëngjes një paketë të re sanksionesh, që përfshin edhe ndalimin e importeve të gazit të lëngshëm rus.

I dërguari i BE-së për sanksionet, David O’Sullivan, do të takohet të enjten me zyrtarin e lartë të Departamentit të Thesarit, John Hurley, bëri të ditur një zëdhënës i Thesarit për CNN.

Ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Olga Stefanishyna, përshëndeti njoftimin e së mërkurës, duke thënë se ai “vjen pas përpjekjeve të shumta për t’i dhënë Rusisë një mundësi për të nisur negociata të vërteta për t’i dhënë fund luftës.”

“Sipas qëndrimit të Ukrainës, paqja është e mundur vetëm përmes forcës dhe presionit ndaj agresorit, duke përdorur të gjitha mjetet ndërkombëtare në dispozicion,” tha ajo në një postim në X, duke shtuar se pret “vendime të forta edhe nga partnerët evropianë nesër, pas takimit të Këshillit Evropian.”

Ukraina kishte kërkuar vazhdimisht rritjen e presionit ndaj Moskës ndërsa lufta vazhdon.

Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit kanë ngecur dhe Rusia ka refuzuar idenë e ngrirjes së luftës për negociata – diçka që Ukraina dhe Evropa e kanë mbështetur.

Trump kishte paralajmëruar javën e kaluar se synonte të takohej me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest. Megjithatë, të mërkurën tha se e kishte “anuluar” takimin e parashikuar, duke u thënë gazetarëve: “Thjesht nuk më dukej e duhura,” edhe pse shtoi se do të takohen në të ardhmen.

CNN raportoi më herët këtë javë se planet për një takim të shpejtë mes Trump-it dhe Putinit kishin ngecur, me një zyrtar të administratës që tha të martën se nuk ka “plane për një samit” mes të dyve “në të ardhmen e afërt.”

Një ekspert i tha CNN-it se ndikimi i sanksioneve të reja amerikane do të varet shumë nga mënyra se si do të zbatohen dhe nëse administrata do të vazhdojë me sanksione dytësore.
“Deri më tani janë vendosur sanksione primare ndaj Rosneft dhe Lukoil, por çështja kryesore do të jetë nëse do të ketë kërcënim me sanksione dytësore ndaj bankave, rafinerive të naftës dhe tregtarëve në vende të treta që bashkëpunojnë me to,” tha Eddie Fishman, studiues i lartë në Këshillin Atlantik.

Në janar, administrata e Biden-it kishte vendosur sanksione ndaj disa kompanive të tjera të mëdha ruse të naftës, por nuk kishte përfshirë Rosneft-in dhe Lukoil-in.

Zyrtarët kishin argumentuar atëherë se vonesa ishte për shkak të gjendjes së tregut global të naftës dhe ndikimit të mundshëm në ekonominë amerikane.

Trump më herët kishte ngurruar për vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë.
Kur u pyet në samitin e G7 në qershor pse nuk po vendoste sanksione, ai u përgjigj: “Kur unë vendos sanksione ndaj një vendi, kjo i kushton SHBA-së një shumë të madhe parash,” duke shtuar: “Sanksionet nuk janë të lehta. Nuk është një rrugë me një drejtim.”

Njoftimi i së mërkurës erdhi pak orë pasi Rusia nisi një sulm të gjerë ajror ndaj Ukrainës, përfshirë Kievin.
Më herët të mërkurën, Bessent e kishte paralajmëruar vendimin si “njërin nga më të mëdhenjtë,” duke theksuar zhgënjimin e Trump-it me Putinin dhe gjendjen e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas një samiti në Alaska më shumë se dy muaj më parë.

“Presidenti Putin nuk ka ardhur në tavolinë në mënyrë të ndershme dhe të hapur, siç shpresonim. Kishim bisedime në Alaska; Presidenti Trump u largua kur kuptoi se gjërat nuk po ecin përpara,” tha Bessent për Fox Business. “Ka pasur biseda prapa skenave, por besoj se presidenti është i zhgënjyer me vendin ku ndodhen këto negociata.”

“Këto janë sanksione, jo tarifa dytësore,” shtoi Bessent. “Ato do të jenë të konsiderueshme dhe të fuqishme, dhe po i bëjmë thirrje aleatëve tanë evropianë, G7, Kanadasë dhe Australisë të bashkohen me ne.”