Tre persona janë vrarë të dielën në një kafiteri në Gjilan dhe një tjetër është plagosur.
Sipas Policisë, i dyshuari kryesor është Mefail Shkodra, person me të kaluar kriminale, së bashku me djemtë e tij, Edmond dhe Engjëll Shkodra. Të tre janë shpallur në kërkim. Viktimat janë identifikuar si Selami Hasani, i biri i tij Edmondi, dhe Abedin Hoxha.
Dyshohet se konflikti ka pasur si motiv fajden, por Prokuroria Themelore në Gjilan ende nuk ka dhënë një version zyrtar. “Ju siguroj se rasti do të trajtohet me profesionalizëm dhe seriozitet”, deklaroi prokurori i rastit, Isuf Sadiku.
Për këtë ngjarje kanë reaguar Presidentja Vjosa Osmani, Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të cilët dënuan vrasjet dhe kërkuan që autorët të sillen para drejtësisë sa më shpejt.