Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka miratuar një deklaratë politike, e cila i përmban tri pika, pas dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.

Nga partia më e madhe opozitare, në pikën e parë kanë kërkuar që Kuvendi ta miratojë Projektligjin e dorëzuar nga ta me plotësimet dhe ndryshimet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe “të shqyrtohet legjislacioni dhe marrëveshjet relevante që lidhen me funksionimin e këtij mekanizmi”.

Ky shqyrtim, PDK ka thënë se duhet të vlerësojë mundësitë kushtetuese dhe ligjore për forcimin e garancive procedurale, transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale.

“Institucionet e Kosovës kanë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë që të shqyrtojnë funksionimin e kuadrit juridik që vetë Republika e Kosovës e ka miratuar dhe, aty ku ekziston bazë kushtetuese dhe ligjore, të propozojnë ndryshimet e nevojshme”.

Pavarësia e drejtësisë duhet të respektohet plotësisht, thonë ata. “Por, pavarësia nuk përjashton transparencën, standardet e gjykimit të drejtë dhe përgjegjshmërinë institucionale”.

Si pikë të dytë, PDK e ka renditur kërkesën për mbështetje të plotë institucionale për mbrojtjen juridike dhe procesin gjyqësor në Apel.

“Kërkojmë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që, në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe institucionale, të sigurojnë dhe garantojnë mbështetjen e pakufizuar financiare, profesionale dhe teknike për ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në procedurat e mëtejme juridike. Mbrojtjes duhet t’i krijohen kushtet për ushtrimin e plotë dhe efektiv të të gjitha të drejtave procedurale”, thuhet aty.

Procesi gjyqësor në Hagë, theksojnë nga PDK, ka “rëndësi jetike për Kosovën, për lirinë e popullit tonë, pavarësinë e shtetit tonë dhe shtetndërtimin e deritashëm”.

“Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen edhe përmes diplomacisë shtetërore dhe komunikimit me partnerët ndërkombëtarë, për respektimin e standardeve më të larta dhe sigurimin e një procesi të drejtë në procesin gjyqësor të Apelit”.

Te pika e tretë, PDK ka kërkuar mbështetje për organizimet popullore kundër vendimeve të padrejta në Hagë.

“Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës mbështet organizimin e protestave popullore si shprehje e pakënaqësisë me vendimet e padrejta e të motivuara politikisht të Dhomave të Specializuara në Hagë”.

Në këtë drejtim, PDK-ja ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në këto protesta.
“PDK kërkon unitet dhe organizim në këtë përpjekje të përbashkët për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike për luftën tonë çlirimtare”.

Derisa e kanë quajtur të padrejtë vendimin ndaj katërshes së UÇK-s, në të njëjtën kohë, PDK ka potencuar se kundërshton “kategorikisht çdo interpretim që cenon karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së apo që krijon barazime ndërmjet luftës së popullit tonë për liri dhe politikës shtetërore të represionit, vrasjeve, dëbimit dhe dhunës së regjimit serb”.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë, e cila u zhvillua në aleancë politike dhe strategjike me botën demokratike dhe përfundoi me përkrahjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës”.

Nga kjo parti kanë theksuar se do të vazhdojnë t’i mbështesin “me të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe juridike, përpjekjet për drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre”.

“Njëkohësisht, PDK-ja do të angazhohet për mbrojtjen, dokumentimin dhe afirmimin e së vërtetës historike për luftën tonë çlirimtare”.