Kur kanë mbetur edhe tri ditë deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, ende asnjë emër nuk është propozuar për të parin e shtetit.
Madje, kanë dështuar edhe përpjekjet për gjetjen e një kandidati konsensual. Kjo u konfirmua të shtunën, pas takimit – të dytë me radhë – që Kryeministri Albin Kurti pati me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Pas takimit më shumë se një orësh, Hamza tha se i ka ofruar Kurtit që President të zgjidhet dikush që propozohet nga PDK-ja.
“Në takimin e dytë që pata me Kurtin pas mbledhjes së partisë, si PDK dhamë mundësinë e fundit dhe konkrete, kërkuam që të zgjidhet Presidenti i propozuar nga PDK që të garantohet stabilitet institucional”, deklaroi Hamza në një konferencë për media nga selia qendrore e PDK-së pas takimit me Kurtin.
Ai shtoi se kërkesa e Kurtit ka qenë se nëse PDK-ja propozon kandidat, atëherë edhe Lëvizja Vetëvendosje do ta bëjë.
“Kurti e ka nesër Këshillin e Përgjithshëm të partisë dhe në bazë të asaj që kemi biseduar, ata kanë kërkesë që nëse PDK-ja e propozon një kandidat, të jetë një kandidat i propozuar edhe nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe në këtë rast dihet përfundimi, rezultati i votimit”, pohoi Hamza.
Pas Hamzës foli edhe Kurti. Në një konferencë për media para objektit të Kuvendit, Kurti paralajmëroi garë për Presidentin.
“Ne nuk kemi arritur që të kemi një kandidat i cili do të ishte konsensual, së paku jo deri më tani, e i cili do të shkonte përtej propozimeve partiake. Tash, lajmi i mirë është që PDK-ja ka vendosur të propozojë një kandidat dhe kjo natyrisht që jep shpresë për garë interesante në javën e ardhshme”, tha Kurti pas takimit.
Ai bëri me dije se VV-ja mund ta propozojë një kandidat për President në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, i cili do të mbahet sot duke filluar nga ora 12:00.
“Po, atje po duket se po shkojmë. Ne kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje…”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, ende nuk ka ndonjë qëndrim final nga Lidhja Demokratike e Kosovës për këtë çështje.
Afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit është 4 marsi.
Nëse Presidenti nuk zgjidhet deri në këtë datë, atëherë Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Ushtruese e detyrës së Presidentes bëhet Kryetarja e Kuvendit.
Vjosa Osmani, Presidente aktuale, ka shprehur publikisht synimin e saj edhe për një mandat në krye të shtetit, mirëpo nuk ka marrë akoma mbështetje nga ndonjë parti politike parlamentare.
Si kandidat konsensual përmendej ndonjë anëtar i Familjes Jashari, mirëpo Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, mohoi që ai ose ndonjë pjesëtar tjetër i Familjes së Komandantit legjendar, Adem Jashari, do të jetë kandidat për President.









