Data është 4 nëntor, viti 2023.
Helmetat mbrojtëse në kokë, buzëqeshje para kamerave, shirit i kuq që pritet solemnisht (fillon me kete fjali, po nuk shihesh ti veç pamjet).
Ishte pikërisht ky vend ku Albin Kurti, Hekuran Murati, Liburn Aliu , Artane Rizvanolli e kryeshefi i Infrakosit, fiks pra 2 vjetësh do të përuronin këtë tunel dhe njoftonin rihapjen e linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë.
Natyrisht për të mos funksionuar asnjë ditë përveç kësaj dite, ku në vagon treni do të fotografohej kryeministri me ministrat e tij.
“Ne po ia japim vëmendjen që e meriton, ashtu siç po e shpejtojmë trenin, urojmë që ky projekt të shpejtojë rritjen dhe zhvillimin e Republikës” deklaronte Albin Kurti.
Po të zgjaste pak më shumë atë ditë xhiroja e kryeministrit, do ta kuptonim që në krye të herës se trenit do t’i duhet goxha kohë për të ecur në këtë hekurudhë.
Treni u shpejtua e iu dha vëmendja vetëm për ato orë të rezervuara për këtë ceremoni.
Ballinat e mediave u mbushën me inaugurimin, i cili zgjati aq sa xhirimet e kamerave.
Nuk vonoj që te të gjitha faqet institucionale të jepej lajmi për këtë rihapje e funksonalizim tunelesh.
Infrakosi po.
Ministria e Ekonomise Po.
E deri te Zyra e Kryeministrit.
Por, që nga data 04 nëntor 2023 e deri më sot, as edhe një tren i vetëm me udhëtarë nuk ka qarkulluar në këtë linj “të rihapur”.
Inaugurimi mediatik nuk u shndërrua kurrë në funksional, sepse linja hekurudhore nuk është e përfunduar: nuk ka asnjë qarkullim trenash, tunelet mbeten të papërfunduara e urat të parregulluara.
Mungojnë sinjalistika dhe elektrifikimi, ndërsa sipas informatave që disponojmë, ende nuk është hapur as tenderi për këto punime në këtë linjë.
Madje, për këtë segment konkret dhe për këto tunele të inauguruara, edhe Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar probleme serioze.
Në raportin e publikuar në fund të vitit 2025, auditori thekson se, “pavarësisht rëndësisë së projektit, menaxhimi nga Infrakos, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Ekonomisë nuk ka arritur të sigurojë efikasitet në realizim.
Sipas auditorit, “komunikimi i dobët ndërmjet institucioneve, mungesa e ekspertizës dhe vendimmarrja e vonuar kanë çuar në vonesa të mëdha dhe tejkalim të buxhetit të planifikuar.”
Por më domethënëse është një tjetër.
Raporti i auditimit dëshmon se tunelet që u inauguruan në nëntor 2023 nuk ishin të përfunduara as deri në shtator 2024.
Madje, deri në atë periudhë, asnjëri nga shtatë tunelet e këtij segmenti nuk ishte përmbyllur plotësisht, siç nuk janë përmbyllur as tash.
Pra, u përuruan pa u përfunduar.








