Sot, e shtunë 6 dhjetor, mbyllet afati ligjor për tërheqjen nga pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit nga subjektet e certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Afati është miratuar qysh në fillim të organizimit të procesit zgjedhor bazuar në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.  

“Subjekti politik i certifikuar mund të tërhiqet nga procesi zgjedhor duke i dorëzuar KQZ-së një njoftim me shkrim me të cilin shpreh qartazi qëllimin për tërheqje jo më vonë se dy (2) ditë të punës para datës së caktuar për hedhje të shortit për zgjedhje, të përcaktuar sipas nenit 25 paragrafi 1 të këtij ligji”, thuhet në këtë nen.

Sot përfundon edhe afati për regjistrimin e votuesve nga jashtë vendi, me afatin për dërgimin e listave garuese që mbyllet nesër me 7 dhjetor e me shortin për radhitjen e subjekteve politike në fletëvotime që do të organizohet këtë të hënë.