Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka shprehur dyshimet për shkelje të procesit të votimit në Shtime.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Gashi ka thënë se dyshohet se në këtë komunë është përdorur metoda e njohur e “Trenit Bullgar”, pasi që është gjetur një fletëvotim fals dhe po mungon fletëvotimi origjinal.

“Në këtë drejtim, ftoj organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe organet e tjera hetimore, që të ndërmarrin hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm për këtë rast, në mënyrë që të sigurohet transparencë dhe përgjegjësi institucionale”, ka shkruar Gashi.
Gashi ka thënë se “nëse këto dyshime vërtetohen, ky rast nuk guxon të mbetet në heshtje dhe pa pasoja ligjore”.
Në Shtime, në bazë të rezultatit preliminar fitoi pa balotazh Qemajl Aliu i Vetëvendosjes, i cili mori rreth 50.47 për qind të votave.









