Instituti i Kosovës për Drejtësi ka gjetur se numri më i madh i kandidatëve për deputet që janë përfshirë në raste penale janë nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, drejtori i këtij instituti, Ehat Miftaraj, ka bërë me dije se partia e pushtetit ka në listë 13 kandidatë që kanë probleme me ligjin me PDK që ka 2 të tillë në listë, LDK-në me një dhe AAK-në me gjashtë e Nismën Social Demokrate me tre.
Miftaraj po ashtu i ka kujtuar VV-së një ndër premtimet e tyre më të rëndësishme, vetting-un në pushtetin juridik të vendit.
“IKD gjen se sipas subjekteve politike, numri më i lartë i kandidatëve që janë përfshirë në raste penale vjen nga LVV, që ka kandiduar gjithsej 13 persona, të cilët janë evidentuar se janë përfshirë në raste penale… Këta të LVV që donin me ba Vetting, me luftu korruspionin, më çkap Prokurorinë, me konfisku pasurine e marr me korrupsion, zorin e paskan vet mos me shku ne burg e me ru pasurine e tyre te fituar me korrupsion”, ka shkruar Miftaraj.
“IKD gjen se sipas subjekteve politike, numri më i lartë i kandidatëve që janë përfshirë në raste penale vjen nga LVV, që ka kandiduar gjithsej 13 persona, të cilët janë evidentuar se janë përfshirë në raste penale. Shprehur në përqindje, rezulton se 11.81% e listës së kandidatëve të LVV për deputetë përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Ky rangim pasohet nga AAK, e cila ka përfshirë në listën e saj gjithsej gjashtë (6) kandidatë të cilët janë përfshirë në raste penale, duke bërë që 5.45% e listës së saj të deputetëve të përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Më pas vjen Nisma Social Demokrate me tre (3) kandidatë (2.72%), PDK me dy (2) kandidatë (1.81%), Lista Serbe me dy (2) kandidatë (6.06%), KDTP me një (1) kandidat (6.25%) dhe LDK me një (1) kandidat (0.9%).”, thuhet në raport.









