Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka dalë me një reagim të ashpër ndaj kryetarit të partisë së saj, Lumir Abdixhikut, duke e akuzuar se ka shpikur deklarata të pavërteta për qëndrimet e saj.

Ymeri ka thënë se Abdixhiku po sulmon deputetët e tij, ndërsa deklaratat e tij, sipas saj, tashmë po përdoren edhe në videot propagandistike të Vetëvendosjes.

Ajo ka mohuar se ka deklaruar se nuk i respekton organet e LDK-së, duke thënë se as nuk i ka përmendur Këshillin, Kryesinë apo Kuvendin e partisë.

“Si mund të thoja diçka të tillë, kur vetë jam pjesë e Këshillit të Përgjithshëm?”, ka shkruar Ymeri.

Deputetja ka thënë se kundërshtimi i saj lidhet me kandidaturën presidenciale, pasi kishte deklaruar edhe para zgjedhjeve se është kundër votës për Vetëvendosjen, por edhe për shkak të profilit të kandidatit.

Ajo ka pretenduar se kryetari i LDK-së është ndier “në hall” për të shpikur deklarata të paqena, duke thënë se për atë që është diskutuar në sallë ka edhe dëshmitarë.

Në fund të reagimit, Ymeri ka ngritur dyshime se pas “skenës së negociatave” mund të fshihet një çështje shumë më e madhe.

Ajo ka përmendur konkretisht tregtinë me energjinë elektrike, duke e cilësuar atë si një çështje që mund të jetë “bixhozi i këtij shteti”.

“Jam e sigurt se përtej kësaj skene negociatash po fshihet një hall i madh, që mund të jetë lirisht edhe bixhozi i këtij shteti: tregtia me energjinë elektrike”, ka shkruar Ymeri.