Haxhi Avdyli, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se e kishte lutur Kryeministrin tashmë në detyrë, Albin Kurti, që ta propozojë Vjosa Osmanin edhe për një mandat si Presidente, por thekson se Kurti nuk e kishte dëgjuar.
“Në një moment, dy ditë para 5 marsit ku do ta nominonim Glauk Konjufcën, më 3 mars, ka qenë një mbledhje e deputetëve, kryeministri, ministra, ndoshta 70 vetë. Kryeministri tha ne do ta nominojmë Konjufcën, askush s’e kundërshtoi. Unë e luta…e kam lut, i kam thënë po të lutëm për herë të fundit mos e kandido Glauk Konjufcën sot, jo pse s’e meriton, por të lutem propozoje Vjosa Osmanin për hir të përkrahjes së qytetarëve, lexoi komentet, thirrjet e njerëzve. Pa marrë parasysh, nuk e dëgjoi”, tha Avdyli në një intervistë në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini.
Madje, Avdyli theksoi se shumica e deputetëve të Vetëvendosjes kanë qenë për Vjosa Osmanin.
“Në aspektin politik, nuk e di pse, së paku e fundit aty, shumica e deputetëve të VV-së ka qenë për Vjosa Osmanin, nuk e kam dëgju dikë që ka qenë kundër saj. Me vlerësimet më të larta, kolegët asnjëherë as në takime private nuk kanë folë asnjë fjalë, por kanë dhënë vlerësimet më të larta ashtu siç është”, deklaroi ai ndër të tjera.
Pasi që Osmani nuk ishte kandiduar si Presidente nga VV, Avdyli kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat e tij brenda partisë GUXO, e cila është pjesë e koalicionit me VV-në.
Së fundmi, Avdyli është parë në shoqërimin e Osmanit në disa takime që kjo e fundit i ka mbajtur me qytetarë.









