“Nuk kam njohuri për asnjë krim të kryer nga Hashim Thaçi”, ka thënë Chris Hill, ish-diplomat amerikan, që së fundmi shërbeu edhe si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi.

Këto komente, Hill i ka bërë në një intervistë për emisionin “Opinion” në TV KLAN, pasi që është pyetur se pse vendosi që të dëshmojë në Hagë si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hill tha se Prokuroria e Speciales e sheh Thaçin “si një person me autoritet në zinxhirin e komandimit”.

Në këtë rast, ndërhyri gazetari Blendi Fevziu dhe tha se “është shumë e vështirë të ngresh një çështje të tillë pa mbështetje politike”, derisa Hill iu përgjigj duke theksuar se “mendoj që ka edhe politikë të përfshirë, nuk po flas për Gjykatën, po flas për Kosovën”.

“Mendoj që qasja e prokurorëve është se ata ndihen se ata mund të provojnë se ai ka qenë pjesë e zinxhirit të komandimit të përfshirë ne vdekje njerëzish, të ardhura nga mënyra të paligjshme”, shtoi Hill.

Por, ai shprehet i bindur se “asnjëherë nuk pas shembull të tillë”. “Unë nuk jam në dijeni të asnjë rasti të tillë kundër tij [Thaçit]”.

“Sipas mendimit tim dhe siç ishim duke folur përpara pak minutash: UÇK-ja nuk ishte një organizim i fortë vertikal”, thekson diplomati amerikan, derisa tregon edhe momentin kur ai e kishte kuptuar se Thaçi nuk kishte autoritet mbi të tjerët.

“Në Rambuje vura re se ai nuk mund të thoshte po apo jo për asgjë. I duhet të telefononte njerëzit në Kosovë”, deklaroi.

Pra, sipas tij, kjo ide se ai ishte përgjegjës për UÇK-në “jam kundër, prandaj ndjeva që duhej të shkoja në Hagë dhe të rrëfeja çfarë dija”.