Përmbytjet e menjëhershme kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 160 personave dhe rreth 1,500 të tjerë konsiderohen ende të zhdukur, ndërsa përpjekjet e kërkimit po vazhdojnë në katastrofën pranë kufirit të Nepalit me Tibetin e Kinës.
Të paktën 700 turistë të huaj konsiderohen se janë mes të zhdukurve, shkruan Reuters. India fqinje kishte numrin më të lartë të të zhdukurve me 177 persona, njoftoi bordi i turizmit i Nepalit. Të paktën 63 shtetas amerikanë janë të zhdukur, deklaroi bordi i turizmit i Nepalit. Ukrainas llogariten të paktën 54, ndërkaq Australia njoftoi për së paku 34 australianë si të zhdukur. 33 shtetas britanikë rezultonin të zhdukur, tha bordi i turizmit i Nepalit. Mes të zhdukurve përfshihen 25 kanadezë, 8 gjermanë, 9 koreanë dhe pesë japonezë.
Më shumë se 5,000 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë iu bashkuan operacionit të shpëtimit, duke shpëtuar 125 persona të enjten, tha Raja Ram Basnet, zëdhënës i ushtrisë së Nepalit.
Në rrethet më të goditura, helikopterët po hidhnin çadra, ushqime dhe furnizime të tjera emergjente të siguruara nga India fqinje.
Pjesa e poshtme e një akullnaje në Himalaje u shemb dhe ra mbi fundin e një lugine të mërkurën në mëngjes, me gjasë e nxitur nga një tërmet, thonë ekspertët.
Një ortek akulli dhe gurësh depërtoi përgjatë lumit Lhende Khola, i cili rrjedh përgjatë kufirit malor.
Rrëshqitja e baltës goditi portin Gyirong në Tibet dhe hyri në Nepal, duke krijuar përmbytje të menjëhershme me shpejtësi të lartë që morën përpara rrugë të tëra, projekte energjetike dhe përmbytën fshatra.
Rajoni është mjaft i populluar nga alpinistë dhe pelegrinë, dhe furnizimet po hidhen nga ajri në zonat e shkëputura nga përmbytja.
Vendet anembanë botës po ofrojnë ndihmë dhe po përpiqen të konfirmojnë vendndodhjen e shtetasve të tyre të përfshirë në listën e të zhdukurve.









