Me gjashtë vota pro dhe një kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shkëputur të gjitha format e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile.
Kjo me propozim të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, gjë që e arsyetoi me faktin se është shqetësuese që publikohen pamje nga aksionet apo informacione të personave të dyshuar.
“Si Kryeprokuror i Shtetit jemi të shqetësuar që viteve të fundit, organizata dhe media të caktuara e kanë marrë primatin që të publikojnë pamje ekskluzive dhe informacione të personave të dyshuar në fazën fillestare të procedurës penale. Këto publikime, për mendimin tim, duke u bazuar edhe në aspektin ligjor, rrezikojnë integritetin e hetimeve, konfidencialitetin, prekin sigurinë juridike dhe cenojnë të drejtat themelore të palëve”, tha Kryeprokurori i Shtetit.
Me këtë hap u shkëputën të gjitha memorandumet e nënshkruara, si dhe format e tjera të bashkëpunimit.
Sipas Këshillit, format e bashkëpunimit do të rregullohen me një rregullore të re, që pritet të miratohet nga Këshilli Prokurorial.









