Inxhineri dhe analisti politik, Ermal Sadiku, i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, të mërkurën.
“I lindur dhe rritur në Prishtinë, Ermal Sadiku që në hapat e parë të karrierës së tij akademike ishte një prej studentëve më të përgatitur të gjeneratës. Studimet e avancuara në Gjermani i dhanë jo vetëm ekspertizë të thellë teknike, por edhe një perspektivë ndërkombëtare mbi inovacionin, standardet moderne të industrisë dhe mënyrat se si ndërtohen ekosistemet e qëndrueshme teknologjike. Pikërisht këto përvoja formësuan vizionin e tij profesional, që sot përbën një vlerë të çmuar për vendin”, shkroi Abdixhiku.
“Pas kthimit në Kosovë, Ermal Sadiku u bë një nga zërat udhëheqës të transformimit digjital. Si themelues i disa prej kompanive më të suksesshme të sektorit ICT, ai ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e industrisë vendore të teknologjisë, duke krijuar vende pune me standarde ndërkombëtare dhe duke dëshmuar se edhe nga Kosova mund të ndërtohen produkte që konkurrojnë denjësisht në tregun global”, shtoi.
Aderimi i tij në LDK, Abdixhiku tha se “është forcim i ekipit tonë”. “ Ai vjen me profesionalizëm, integritet e përvojë. Ai vjen si një adresë e tashme politike dhe e ardhme e sektorit më me potencial në Kosovë”.
“Ne na udhëheqë besimi në potencialin e të rinjve kosovarë; se ata janë çelësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë; një të ardhme ku Kosova qëndron denjësisht në hartën e inovacionit global”.
Ardhja e tij, dhe e të tjerëve që po bashkohen, kreu i LDK-së theksoi se “është një thirrje e qartë për bashkim të secilit që beson se vendi meriton më shumë; që dëshiron ndryshim dhe angazhohet për të”.









