Një person ka vdekur dhe tre të tjerë kanë pësuar lëndime nga një vetaksident që ndodhi në orët e para të së martës në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit.
Lajmin për VOX Kosova e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Sot, rreth orës 05:30, në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit, është shkaktuar një aksident trafiku me pasoja fatale. Si pasojë e aksidentit (vetaksident), një person ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore”, ka thënë ai.
Njësitë policore, theksoi ai, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke zhvilluar hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Policia e Kosovës ka apeluar të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.









