Një grua ka humbur jetën, ndërsa një burrë ka pësuar lëndime në një vetaksident që ndodhi të dielën në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Gruaja që ndërroi jetë ishte pasagjere në automjet. I lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë njoftuar nga Policia e Kosovës.

“Me datën 14.06.2026 rreth orës 12:40 në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në drejtimin Malishevë-Prishtinë ka ndodhur një vetaksident trafiku, ku si pasojë lëndime trupore ka pësuar një mashkull kosovar ndërsa ka ndërruar jetë një viktimë femër kosovare (pasagjere)”, kanë njoftuar nga Policia.

“Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dal të gjitha njësitë përkatëse për trajtim të rastit. Viktima mashkull kosovar është duke u trajtuar në QKUK, ndërsa trupi i pajetë i viktimës femër me vendim të prokurorit është dërguar në mjekësi ligjore për autopsi”, potencohet aty.

Nga pamjet që ka publikuar kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, vetëaksidenti ka ndodhur në një pjesë të autostradës ku ka rrëshqitur dheu.

“Dikush nga Qeveria dembele duhet të dënohet! Duhet të përgjigjet para drejtësisë”, ka shkruar Ramadani në Facebook.

Mirëmbajtja e autostradës sikurse edhe rrugëve tjera, ai ka thënë se “është obligim ligjor!”.