Tre shtetas të Kosovës, nga qyteti i Vushtrrisë, janë gjetur të vdekur në një veturë të përmbysur në Maqedoni të Veriut, afër kufirit me Kosovën.
Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, rreth orës 22:35, të dielën, në stacionin policor në Shkup është raportuar se në rrugën nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit ndodhet një automjet i përmbysur i markës “Mercedes” me targa gjermane.
Ata thonë se menjëherë në vendin e ngjarjes janë dërguar zyrtarë policorë, të cilët kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të vdekur (një mashkull dhe dy femra).
Bëhet me dije se vdekjen e ka konstatuar një mjek nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore.
Në ora 13:40, të dielën, në stacionin policor Bit Pazar, MPB-ja maqedonase njofton se një shtetas i Kosovës kishte raportuar se tre persona ishin zhdukur.
“Kontakti i fundit me ta kishte qenë më 18.07.2026, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në aeroportin e Shkupit”, thuhet në njoftim.









