Të paktën 68 persona kanë vdekur pasi një tren ekspres i shpejtësisë së lartë në Spanjë u përplas të mërkurën me një tren të ndalur, raporton Reuters. Ekipet e shpëtimit po kontrollojnë vagonët e shkatërruar për trupa të tjerë, pas aksidentit të dytë fatal hekurudhor në Spanjë këtë vit dhe më vdekjeprurësit në Evropë që nga viti 2013.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se “e gjithë Spanja është në zi” pas këtij aksidenti tragjik. Ministri i Transportit deklaroi se aksidenti ndodhi pasi një treni të kompanisë Renfe iu dha leja të vazhdonte udhëtimin, pavarësisht sinjalit të kuq aktiv, për shkak të një treni të ndalur përpara tij.

Oscar Puente u tha gazetarëve në Madrid se sinjali i kuq ishte aktivizuar për shkak të një dështimi në komunikimin kompjuterik, i cili kishte ndalur automatikisht qarkullimin. Megjithatë, më pas ishte marrë vendimi i gabuar për ta vënë sërish në lëvizje trenin e Renfes.

Sanchez, në një fjalim televiziv pranë vendit të aksidentit, në jug të Madridit, tha se kjo tragjedi e tmerrshme do të hetohet dhe u zotua se do të trajtohen të gjitha dështimet që mund të zbulohen. Ai shtoi se shkaqet e dy aksidenteve duket se nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin.

“Nëse na duhet t’i forcojmë më tej masat e sigurisë për të rikthyer besimin te sistemi ynë i trenave të shpejtësisë së lartë, do ta bëjmë. Ajo që është e papranueshme për një vend si Spanja është të përjetojë dy aksidente me trena të shpejtësisë së lartë brenda të njëjtit vit”, tha Sanchez.

Partia Popullore, në opozitë në Spanjë, njoftoi se i kishte anuluar të gjitha aktivitetet e fushatës për atë ditë, në prag të zgjedhjeve të muajit të ardhshëm.

Në vendin e aksidentit, në zonën rurale të Kastiljes-La Mançës, ambulancat, automjetet e shërbimeve funerale dhe helikopterët u grumbulluan pranë njërit prej trenave, në një segment të ngritur të hekurudhës. Pjesë të përdredhura metali dhe mbetje të trenave ishin shpërndarë përgjatë një shpati, ku kishin rënë të paktën tre vagonë.

Kreu i qeverisë rajonale, Emiliano García-Page, tha se numri i viktimave kishte arritur në 68. Ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdonin kërkimet në errësirë, ende nuk dihej nëse do të zbuloheshin viktima të tjera pasi të zhvendoseshin vagonët.

Pas aksidentit, pasagjerët u evakuuan përgjatë një rruge aty pranë. Disa prej tyre ishin të mbuluar me gjak ose me fasha. Ministrja e Shëndetësisë e Spanjës, Monica Garcia, tha se 80 persona kishin mbetur të lënduar, 15 prej tyre në gjendje shumë të rëndë.

Salvador Arriza përshkroi kaosin brenda vagonit ku ndodhej.

“Isha shumë afër derës, por pasagjerët e tjerë po thyenin xhamat për të dalë jashtë. Disa njerëz praktikisht nuk mund të lëviznin, sepse kishin mbetur të bllokuar mes ulëseve”, tha 62-vjeçari.

Kjo është fatkeqësia më vdekjeprurëse hekurudhore në Evropë që nga dalja nga shinat e një treni në Santiago de Compostela të Spanjës, në vitin 2013, ku humbën jetën 80 persona.

Aksidenti vjen pas një tjetër përplasjeje fatale në janar, ku u përfshinë trena të shpejtësisë së lartë të operuar nga të njëjtat kompani, në të njëjtën linjë. Në atë aksident humbën jetën 46 persona.

Përplasja e janarit ndodhi pasi një tren doli nga shinat dhe u përplas me një tren që po vinte nga drejtimi i kundërt, duke nxitur debat për investimet në mirëmbajtjen e hekurudhave.

Renfe tha të mërkurën se, pasi iu dha leja për të vazhduar udhëtimin, treni i saj u përplas me trenin e kompanisë Iryo, i cili kishte mbetur i ndalur “për arsye që nuk i dimë”.

“Treni i Renfes vazhdoi rrugën sipas udhëzimeve dhe ndodhi përplasja. Rrjedha e saktë e ngjarjeve, kushtet e qarkullimit dhe rrethanat e përplasjes duhet të përcaktohen nga hetimi”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Një zëdhënës i qeverisë së Kastiljes-La Mançës tha se në momentin e përplasjes, rreth orës 09:00, në trenin e kompanisë Iryo ndodheshin 147 persona, ndërsa në trenin e Renfes ishin 397 pasagjerë. Përplasja bëri që dy vagonë të trenit Iryo të dilnin nga shinat.

Pasagjeri Rafael Barcelo tha se ndihej me fat që kishte lëvizur nga ulësja për të marrë një kafe. Ai shtoi se të paktën tetë persona nga vagoni ku ndodhej kishin humbur jetën.

“Po hanim mëngjes dhe po pinim kafe kur ndjemë një goditje shumë të fortë dhe u hodhëm përpjetë”, tha ai.

Në një shkollë në Urda, ku ishin udhëzuar të paraqiteshin familjarët e pasagjerëve, një grua e identifikuar si Ana mezi i mbajti lotët teksa tha se ende nuk kishte asnjë lajm për bashkëshortin e saj, Pepen.

Emri i tij nuk ishte në mesin e personave të identifikuar, ndonëse policia kishte gjetur qenin e tyre, Trece.

Renfe njoftoi se kishte hapur një linjë të posaçme telefonike për familjarët e viktimave. Kompania tha gjithashtu se kishte pezulluar shitjen e biletave në linjën e trenave të shpejtësisë së lartë Madrid–Andaluzia deri më 13 dhjetor.

Një raport paraprak i Gardës Civile, i publikuar në shkurt, identifikoi si pistë kryesore për aksidentin e janarit defektet në shina, në binarë ose në një saldim mes dy segmenteve të hekurudhës. Megjithatë, hetuesit nuk i kishin përjashtuar as shtatë mundësi të tjera.

Autoriteti spanjoll për sigurinë hekurudhore ka raportuar se aksidentet, përfshirë daljet nga shinat dhe përplasjet, janë rritur nga 45 në vitin 2016, në 57 në vitin 2024 dhe 69 vitin e kaluar.

Një analizë e Reuters-it, bazuar në të dhënat e autoritetit spanjoll të konkurrencës, tregoi se rreth 25 milionë pasagjerë udhëtuan me trenat e shpejtësisë së lartë në Spanjë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Kjo përbën një rënie prej rreth 14 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, të dhënat e Komisionit Evropian tregojnë se investimet e Spanjës në mirëmbajtjen e rreth 4 mijë kilometrave të linjave hekurudhore të shpejtësisë së lartë kanë mbetur prapa atyre të vendeve të tjera të mëdha evropiane.

Megjithëse Spanja shpenzoi mesatarisht rreth 1.5 miliardë euro në vit për rrjetin e saj hekurudhor të shpejtësisë së lartë nga viti 2018 deri në vitin 2022, më shumë se çdo vend tjetër evropian, pjesa më e madhe e këtyre parave u përdor për ndërtimin e linjave të reja.

Vetëm rreth 16 për qind e investimeve u dedikuan për mirëmbajtjen, rinovimin dhe modernizimin e infrastrukturës ekzistuese.