Të paktën 33 nxënës dhe një mësues kanë vdekur pasi çatia e një shkolle u shemb në qytetin Peshawar, në veriperëndim të Pakistanit, sipas zyrtarëve të spitaleve, shkruan BBC.

Më shumë se një duzinë personash të tjerë janë lënduar, disa prej tyre në gjendje kritike. Dyshohet se disa fëmijë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Shërbimet e emergjencës u njoftuan për incidentin në shkollën private Al-Khair, në lagjen Dir Colony, në orën 08:48 të së enjtes, pasi mësimi kishte filluar, tha një zyrtar i ekipeve të shpëtimit.

Ai i tha BBC-së se ishte shembur çatia e një klase në katin e sipërm, duke bërë që të shembeshin edhe tavanet e klasave poshtë saj.

“Fëmijët në klasat e prekura mbetën të bllokuar nën rrënoja”, tha zyrtari Bilal Faizi.

Sipas zyrtarit të emergjencës, Arif Khattak, shkolla ndodhet në një ndërtesë që ishte ndërtuar si strukturë e përkohshme.

Raportimet e para sugjeronin se klasat e prekura ndodheshin në një pjesë dykatëshe të ndërtesës, por shefi i policisë së Peshawarit, Mian Saeed, konfirmoi më vonë se ishin shembur klasat në tri kate. Sipas tij, në klasën e katit të sipërm ishin rreth 30 nxënës, në katin e mesëm 40 dhe në katin përdhes 45.

Duket se, kur u shemb çatia e klasës në katin e sipërm, rrënojat ranë mbi klasat poshtë, duke shkaktuar shembjen edhe të tavaneve të tyre.

Saeed tha se e gjithë ndërtesa, e cila kishte pllaka çatie “nën standardet e kërkuara”, ishte e mbingarkuar dhe nuk mund ta përballonte peshën që kishte mbi vete.

Shkolla Al-Khair ndodhet në një rrugë të ngushtë, ku mund të kalojë vetëm një automjet në të njëjtën kohë. Kjo ua vështirësoi ekipeve të shpëtimit arritjen në vendngjarje dhe transportimin e të lënduarve drejt spitaleve.

Spitali Lady Reading në Peshawar raportoi vdekjen e 32 fëmijëve dhe një mësuesi, ndërsa Spitali Memorial Naseerullah Khan Babar raportoi vdekjen e një fëmije.

Një mësues i gjuhës angleze nga një shkollë aty pranë tha se u nis menjëherë drejt vendngjarjes bashkë me banorë të tjerë të zonës, pasi dëgjoi sirenat dhe zhurmën e autoambulancave.

Së bashku, ata nxorën më shumë se 20 fëmijë nga rrënojat, tha ai.

“Personalisht, i nxora gjashtë fëmijë me duart e mia. Shumica prej tyre ishin gjallë dhe flisnin. Por më vonë u konstatua se kishin ndërruar jetë”.

“Kishte shumë gjak”, tha ai. “Një fëmijë tha se kishte shumë dhimbje. Gjuha i ishte tharë në gojë dhe po kërkonte ujë”.

Sohail, një tjetër banor i zonës, tha se ai dhe të tjerët u përpoqën t’i nxirrnin fëmijët nga rrënojat “duke përdorur lopata”.

Shefi i policisë, Mian Saeed, tha se ndërtesa vazhdonte të ishte “jashtëzakonisht e rrezikshme” dhe u bëri thirrje njerëzve të largoheshin prej saj.

“Ky është një rast i neglizhencës së rëndë”, tha ai. “Do të shqyrtojmë nëse ka pasur shkelje të rregullave të ndërtimit. Synojmë të kryejmë një hetim të plotë dhe të mbledhim të gjitha faktet”.

Saeed konfirmoi se pronari i shkollës ishte arrestuar.

Guvernatori i provincës Khyber Pakhtunkhwa, Faisal Karim Kundi, ka urdhëruar gjithashtu një auditim të sigurisë në të gjitha shkollat e provincës, për të “identifikuar rreziqet e mundshme dhe për të siguruar që të merren menjëherë masa korrigjuese aty ku është e nevojshme”.

“Nuk mund të lejojmë që siguria e fëmijëve tanë të vihet në rrezik”, tha ai.

Katër muaj më parë, 14 fëmijë vdiqën pasi u shemb çatia e një qendre private mësimore pranë Lahores.

Ndërkaq, në gusht, 14 foshnja të porsalindura humbën jetën nga një zjarr që përfshiu repartin e neonatologjisë në një spital në kryeqytetin Islamabad. Një hetim konstatoi se reparti nuk kishte alarme zjarri dhe sisteme spërkatëse për shuarjen e tij.