Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e së hënës në lagjen Arbana të Prizrenit, ku një punëtor 26-vjeçar ka humbur jetën gjatë orarit të punës në një kantier ndërtimi.

Viktima është identifikuar me inicialet V.M.

Aksidenti ka ndodhur gjatë procesit të betonimit, kur ai është goditur nga një pjesë e vinçit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 09:00 ka pranuar informatën se një person pa shenja jete ishte dërguar në emergjencën e lagjes Arbana. “Menjëherë pas njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në spital për të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.” Thuhet në njoftim.

Sipas policisë, bazuar në dëshmitë e para të mbledhura në vendin e ngjarjes, dyshohet se gjatë punës në objekt një pjesë e pajisjes së vinçit e ka goditur 25-vjeçarin, duke i shkaktuar lëndime të rënda dhe fatale.

Tashmë për këtë është ndaluar një person, që sipas policisë është personi që ishte duke e drejtuar mjetin gjatë asaj kohe.

Me kërkesë të prokurorisë i arrestuari është ndaluar për 48 orë.

“Mund të konfirmoj që një person ka humbur jetën gjatë punës, dyshohet se rasti ka ndodhur gjatë zbrazjes së betonit nga mikseri i kamionit është shkëputur një gyp i cili e ka goditur viktimën i lindur në 2001. Në këtë fazë mund të konfirmoj gjithashtu se e kemi një person të ndaluar për shkak të dyshimit në kryerje të veprës penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, thuhet nga Prokuroria Themelore ne Prizren.

Gjatë vitit të shkuar, sipas Inspektoratit të Punës, 19 punëtorë kanë humbur jetën e sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, ky numër është mbi 30.