Një rast i rëndë ka ndodhur në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt, ku një foshnjë e porsalindur ka humbur jetën, ndërsa organet e rendit dhe drejtësisë kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale “vrasja e foshnjës gjatë lindjes”.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 19:00, kur një paciente ishte paraqitur në Emergjencë. Sipas Policisë, ajo kishte hyrë në tualetin e repartit, ku dyshohet se ka lindur foshnjën.
Ndërkohë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me rastin. Sipas njoftimit, pacientja ishte paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk), ndërsa në një moment kishte hyrë në tualet duke e mbyllur derën.
“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Sipas të njëjtit njoftim, ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë.
“Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë”, thuhet më tej në reagim.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, e cila ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit është njoftuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj për vdekjen e foshnjës së porsalindur.









