Dy të rinj, shtetas të Kosovës, kanë humbur jetën te Rana e Hedhun në Shëngjin, pasi që janë marrë nga dallgët dhe rrymat detare.
Duke treguar rrethanat e këtij rasti tragjik, Drejtoria e Policisë së Shqipërisë për rajonin e Lezhës, njoftoi se pesë të rinj, të gjithë nga Kosova, ishin futur në det, por pasi që u rrezikuan nga dallgët reaguan disa qytetarë me Jet Ski, të cilët, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, e bën të mundur nxjerrjen e tyre.
“Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin”, thuhet në njoftimin e Policisë, raporton Top Channel.
“Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore”.
Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, Policia shqiptare thekson se “dy prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore”.
“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
Në lidhje me këtë rast tragjik ka reaguar edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Ai tha se “me hidhërim të thellë mësova për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve nga Kosova sot në Shëngjin”.
“Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroj shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre”, shkroi Begaj në Facebook.
Kjo tragjedi, Presidenti shqiptar theksoi se “na kujton rëndësinë e kujdesit dhe respektimit të çdo mase sigurie në plazhet tona”.
“Nisur nga ky rast i rëndë, ftoj institucionet qendrore dhe vendore, si edhe operatorët turistikë, të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në plazhe gjatë gjithë sezonit veror, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe vizitorëve”.









