Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka vdekur dhe pesë të tjerë kanë pësuar lëndime nga një aksident që ndodhi në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë.

“Në aksident janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e lëndimeve të marra, në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një viktimë femër, rreth 52 vjeçare, ndërsa pesë persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit theksohet se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor thuhet se në koordinim me prokurorin e rastit janë duke zhvilluar hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti.