Tri raste të vdekjeve brenda 24 orëve kanë ndodhur në Kosovë.
Në raportin 24 orësh, Policia ka njoftuar për një rast në Malishevë, ku thuhet se viktimës, pasi i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku aty ka ndërruar jetë.
“Është raportuar se viktima femër kosovare është dërguar pa shenja jete në QKMF Malishevë, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj. Sipas mjekut kujdestar viktima dyshohet se ka ndërruar jetë prej arrestit kardiak. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Policia ka nisur hetimet për këtë rast.
Në raport thuhet edhe se ka ndodhur një aksident i trafikut në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë në zonën e Vushtrrisë, ku si pasojë viktima njoftohet se ka pësuar lëndime të rënda dhe ka vdekur në vend të ngjarjes.
“Ka ndodhë një aksident trafiku në mes të një automjeti dhe një motoçiklete me ngasës meshkuj kosovarë. Si pasojë e aksidentit drejtuesi i motoçikletës ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet aty.
Me vendim të prokurorit potencohet se trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Në raport, njoftohet edhe për vdekjen e një fëmije, si pasojë e rrëzimit nga trotineti elektrik.
“Me 20.06.2026 është raportuar se viktima mashkull kosovar-fëmijë, i cili ishte i lënduar rëndë pasi ishte rrëzuar nga trotineti elektrik, sot kishte ndërruar jetë në QKUK. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë u është dorëzuar familjarëve”.









