Së paku 39 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një përplasje e trenave me shpejtësi të lartë në jug të Spanjës, ka bërë të ditur Garda Civile e këtij vendi.

Vagonët e një treni që po udhëtonte drejt Madridit dolën nga shinat dhe kaluan në binarët e kundërt, duke u përplasur me një tren që po vinte përballë, pranë qytetit të Kordobës, të dielën në mbrëmje. Në të dy trenat ndodheshin rreth 400 pasagjerë dhe anëtarë të stafit.

Shumica e viktimave dhe të plagosurve ndodheshin në vagonët e përparmë të trenit të dytë, i cili po udhëtonte në drejtim jugor nga Madridi drejt Huelvës.

Shërbimet emergjente trajtuan 122 persona, ndërsa 48 prej tyre, përfshirë pesë fëmijë, vijojnë të jenë të shtruar në spital. Prej tyre, 11 të rritur dhe një fëmijë ndodhen në kujdes intensiv.

Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, ka deklaruar se numri i viktimave “ende nuk është përfundimtar” dhe se është nisur një hetim për shkaqet e aksidentit, e cila është përshkruar si më i rëndi në Spanjë në më shumë se një dekadë.