Katër nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit në bordin e një avioni amerikan ushtarak për furnizim me karburant në ajër kanë vdekur pasi avioni u rrëzua në perëndim të Irakut, njofton Komanda Qëndrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Centcom).

Centcom tha se përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë pas humbjes së avionit KC-135 Stratotanker, duke shtuar se më herët ishte konfirmuar se as zjarr armik dhe as zjarr miqësor nuk kishin qenë shkaku i rrëzimit të avionit.

Avioni cisternë kishte qenë i përfshirë në operacionet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit dhe ishte një nga dy avionët e përfshirë në incident. Avioni i dytë arriti të ulej në mënyrë të sigurt.

Këta avionë të prodhuar nga Boeing janë të aftë të furnizojnë avionët me karburant në ajër dhe zakonisht luajnë një rol të madh në operacionet ushtarake amerikane. Ata u përdorën gjerësisht në Gulf War për të zgjatur rrezen e veprimit të avionëve luftarakë dhe bombarduesve.

Centcom tha se incidenti ndodhi rreth orës 14:00 sipas kohës lindore (19:00 GMT) të enjten dhe se rrethanat e rrëzimit tani janë nën hetim.

Ai shtoi se identitetet e personelit që humbi jetën do të mbahen të fshehta për 24 orë, në mënyrë që familjarët e tyre të njoftohen fillimisht.

Avioni KC-135 zakonisht ka një ekuipazh prej të paktën një piloti, një bashkëpiloti dhe një operatori të “boom-it”, i cili kontrollon krahun e furnizimit me karburant të avionit.

Centcom më herët e përshkroi rrëzimin si të ndodhur mbi hapësirë ajrore miqësore – por kjo është një zonë e Irakut ku veprojnë milici pro-iraniane. Ushtria e Iranit pretendoi në televizionin shtetëror se një grup aleat kishte goditur avionin me një raketë.

Që nga shpërthimi i luftës mes SHBA-së dhe Iranit, shtatë ushtarë amerikanë janë konfirmuar të vrarë në konflikt.

Ushtria amerikane ka humbur tashmë të paktën katër avionë gjatë kësaj lufte.

Më herët këtë muaj, tre avionë F-15 Eagle u rrëzuan në një “incident me zjarr miqësor” mbi Kuvajt, thanë zyrtarët. Të gjashtë anëtarët e ekuipazhit arritën të katapultohen në mënyrë të sigurt.

Boeing e prodhoi avionin KC-135 Stratotanker për ushtrinë amerikane në vitet 1950 dhe në fillim të viteve 1960.

Ai ka qenë një nga shtyllat kryesore të flotës ajrore amerikane për furnizim me karburant në ajër dhe u mundëson avionëve luftarakë të kryejnë misione më të gjata pa pasur nevojë të ulen.