Pesëmbëdhjetë migrantë humbën jetën në Detin Egje pranë Greqisë këtë të martë, pasi varka e tyre u përplas me një anije të rojes bregdetare pranë ishullit të Kiosit, siç bën të ditur roja bregdetare.
Një zyrtar i rojes bregdetare tha se ata kishin pikasur një gomone që transportonte migrantë drejt Kiosit — i cili ndodhet vetëm disa milje larg bregut të Turqisë — dhe i kishin urdhëruar të ktheheshin mbrapsht.
“Kontrabandistët manovruan drejt anijes së rojes bregdetare duke shkaktuar përplasjen,” i tha zyrtari Reuters-it.
Roja bregdetare tha se 25 migrantë u shpëtuan, por njëra prej tyre, një grua, vdiq më vonë. Operacioni i kërkim-shpëtimit ishte ende në vazhdim.
Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur se si ndodhi përplasja. Kombësia e migrantëve nuk ishte e qartë.
Dy oficerë të rojës bregdetare u plagosën dhe u dërguan në spital, tha një zyrtar i dytë për Reuters. Dëshmitarët raportuan se rreth 30–35 persona ndodheshin në bord, tha një zyrtar qeveritar.
Greqia, në cepin juglindor të Bashkimit Evropian, ka qenë prej kohësh një portë e preferuar drejt Evropës për migrantë dhe refugjatë nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia.
Në vitet 2015–2016, Greqia ishte në vijën e parë të krizës së migracionit të Evropës dhe pothuajse një milion njerëz zbarkuan në ishujt e saj, përfshirë Kiosin, nga Turqia.
Vitet e fundit, mbërritjet kanë rënë dhe Greqia ka ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj migrantëve. Që nga viti 2019, qeveria e qendrës së djathtë ka forcuar kontrollet kufitare me gardhe dhe patrullime detare.
Greqia ka qenë nën vëzhgim për trajtimin e migrantëve dhe refugjatëve që afrohen nga deti, përfshirë një mbytje anijeje në vitin 2023, në të cilën qindra migrantë humbën jetën, pasi dëshmitarët thanë se roja bregdetare u përpoq të tërhiqte anijen e tyre të peshkimit.
Agjencia kufitare e BE-së tha vitin e kaluar se po shqyrtonte 12 raste të shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut nga Greqia, përfshirë disa akuza se migrantët që kërkonin azil u kthyen me forcë nga kufijtë grekë.
Greqia mohon se shkel të drejtat e njeriut ose se kthen me forcë azilkërkuesit nga brigjet e saj.