SPAK ka sekuestruar një apartament në Qerret të Kavajës, në pronësi të Shemsi Bahtirit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Veprimi është ndërmarrë pas një kërkese për ndihmë juridike nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila po zhvillon hetime ndaj Bahtirit për dyshime për trafik ndërkombëtar narkotikësh, pjesëmarrje në grup kriminal dhe pastrim parash.
Sipas autoriteteve kosovare, ekziston dyshimi se të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal janë investuar në pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Në këtë kuadër, apartamenti në Qerret është vendosur nën masën e sekuestros si masë sigurie deri në përfundim të procedurave hetimore.
Bahtiri është arrestuar pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar Sky ECC, material i siguruar nga autoritetet franceze dhe i shpërndarë përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.
Nga verifikimet rezulton se në emër të tij është e regjistruar edhe kompania “DAIMAN” sh.p.k., e cila pritet të jetë pjesë e hetimeve financiare.
Hetimet vijojnë edhe për persona të tjerë të dyshuar si pjesë e të njëjtit rrjet kriminal.









