Mbrojtja e Kadri Veselit kërkoi lirimin e tij nga paraburgimi – tash, kur u shty data për shpalljen e aktgjykimit, prokuroria e kundërshtoi, e siç ka ndodhur zakonisht, Paneli i gjyqtarëve vendosi në favor të prokurorisë, duke ia vazhduar paraburgimin ish-kreut të Kuvendit.
Paneli nuk e ka konsideruar të qëndrueshëm argumentin e mbrojtjes se, me shtyrjen e dytë të datës për dhënien e vendimit, kanë ndryshuar rrethanat dhe, për rrjedhojë, Veseli duhet të lirohet.
“Paneli vëren argumentin e Mbrojtjes së Veselit se zgjatja e dytë e afatit nga ana e Panelit për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit përbën një ndryshim thelbësor të rrethanave, që kërkon rishqyrtimin e konstatimeve të mëparshme lidhur me ekzistencën e rrezikut për pengimin e procedurave. Megjithatë, Paneli vlerëson se zgjatja e afatit për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit nuk përbën ndryshim të rrethanave që e zvogëlon këtë rrezik”, shkruan Paneli.
“Prandaj, duke i marrë parasysh të gjithë faktorët së bashku, Paneli arrin në përfundimin se vazhdon të ekzistojë rreziku që z. Veseli të pengojë zhvillimin e procedurave të Dhomave të Specializuara”, shkruajnë gjyqtarët.
Edhe garancitë policore nga Kosova, për Panelin nuk janë të mjaftueshme për lirimin deri në shpalljen e vendimit.
“Paneli vëren se, siç është konstatuar më parë, Policia e Kosovës nuk ka dhe nuk mund të ketë qasje në të gjithë informacionin relevant që lidhet me dëshmitarët e mbrojtur dhe personat e tjerë në rrezik dhe, për rrjedhojë, nuk është në pozitë që të vlerësojë qartë dhe në mënyrë efektive rreziqet e përfshira dhe të sigurojë një nivel mbrojtjeje të krahasueshëm me atë që ofrohet në objektet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, thuhet në shkresë.
“Paneli konstaton se paraburgimi i z. Veseli për dy muaj të tjerë është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të kësaj çështjeje”.
Gjyqtarët, për periudhën e gjatë që krerët e UÇK-së kanë kaluar në paraburgim, e në veçanti për shtyrjet e datave për shpalljen e vendimit, janë arsyetuar me një mesatare të përcaktuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
“Paneli vëren se koha mesatare e marrë për shqyrtim dhe vendimmarrje në gjykatat penale ndërkombëtare dhe të ndërkombëtarizuara që trajtojnë raste të këtij lloji ka qenë 395.2 ditë, ndërsa Gjykata Penale Ndërkombëtare ka vendosur si objektiv nxjerrjen e aktgjykimeve të gjykimit brenda 10 muajve nga data e deklaratave përmbyllëse”, thuhet në shkresë.









