Sa herë që i kërkohet Vetëvendosjes që të kritikojë procesin e padrejtë në Gjykatën Speciale, përgjigja e saj është gjithmonë e njëjtë:
“Po na nuk e kemi votu. Ju vetë e keni votu!”.
Ky është refreni i tyre standard, tamam si kasetë e prishur, sa herë që përballen me domosdoshmërinë e veprimit për ta adresuar padrejtësinë në procesin e Hagës.
Një mosvotim një herë po përdoret si arsyetim përherë.
Në jetë dhe politikë nuk gjykohesh vetëm për atë që ke bërë dhe s’ke bërë dje, por edhe për atë që bën dhe nuk bën sot.
Në fjalët e Albin Kurtit, patriotizmi nuk është fruth.
Albin Kurti po mendon se me një mosvotim e ka kryer fakultetin e patriotizmit dhe se tash e meriton diplomën e përjetshme të atdhetarit.
Por edhe vetë Kurti e di që nuk është kështu.
Lëvizja Vetëvendosje e shet veten si organizatë që vepron me parime të qarta të filozofisë politike.
Një nga pikëpamjet filozofiko-politike më të përdorura nga ta është Teza e Njëmbëdhjetë e Karl Marxit:
“Deri më tani, vetëm e kanë interpretuar botën në mënyra të ndryshme; çështja është ta ndryshojmë atë.”
Libri i Vladimir Leninit “Çfarë duhet të bëhet?” – pra çfarë të bëhet, jo çfarë të thuhet – për vite me radhë ka shërbyer si Bibël e mobilizimit politik për të kundërshtuar proceset që VV-ja i cilësonte si të dëmshme.
Se ideja e organizimit është thelbësore në VV, tregon edhe vetë emri i dokumentit tashmë të famshëm të Albin Kurtit “Mbi Organizimin Politik”.
Në preambulë të dokumentit Kurti citon shkrimtarin Kurt Vonnegut, që thotë se: “Triumfi i çdo gjëje është çështje e organizimit.”
Këto postulate marksist-leniniste Albin Kurti me shokë i kanë mbajtur çdo kund: në bibliotekë, në posterë të mureve të partisë, e disa edhe në kuletat e tyre, si shenjë e dedikimit të thellë personal në ndryshimin e gjendjes, ani pse me kohë u kuptua se “kauzat” e tyre ishin vetëm farsa.
Këto qëndrime Kurti i përsëritë secilën herë që bën homazhe tek varri i Arbënor Deharit:
“Arbënori na kujton se konceptet e vetëvendosjes, demokracisë dhe barazisë nuk janë thjeshtë ideale të dëshiruara, por edhe mënyra të të jetuarit, praktika të përditshme të atyre që kanë vendosur ta bëjnë një jetë të plotë dhe politike.”
Jo rastësisht, një prej njësive të krijuara nga VV-ja mban një emër që reflekton këtë botëkuptim: “Studim Kritikë Veprim – SKV”.
E në rastin e Gjykatës Speciale, VV-ja nuk ka as studim, as kritikë e as veprim.
Pyetja është kjo:
Nëse Vetëvendosje është kundër Gjykatës Speciale, pse nuk është e angazhuar aktivisht për ta mbikëqyrur dhe për t’i adresuar shkeljet dhe padrejtësitë e shumta gjatë këtij procesi skajshmërisht të politizuar?
Një përgjigje tjetër e tyre standarde është:
“E po na nuk ndërhyjmë në drejtësi”.
Ky është arsyetim e jo arsye, sepse, e para, ne nuk po i kërkojmë ndërhyrje në drejtësi, dhe e dyta, ndërhyrja në drejtësi është parim i njohur i VV-së, kështu që nuk do të duhej të paraqiste problem për të.
Thjesht, nëse mosvotimi i gjykatës është pasqyrë e bindjes së tyre, atëherë aktiviteti i tyre pas atij akti tregon se bindja dhe veprat e tyre janë të divorcuara.
VV-ja ka një shkarje të madhe mes asaj që thotë dhe që bën.
Është një shpërputhje e thellë mes fjalëve dhe veprave të tyre.
Për t’i dalluar mashtruesit, Bibla na ka mësuar moti:
“Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë. Ata do t’i njihni nga frytet e tyre.”
Mospjesëmarrja e VV-së në votim ishte njëherësh edhe veprimi i fundit i VV-së në raport me Gjykatën Speciale.
Prej asaj kohe VV-ja nuk e ka bërë asnjë veprim konkret, vetëm disa deklarata të vonuara e me gjysmë zëri, sa për ta shpëlarë gojën para kritikëve që i kërkojnë llogari.
E siç po e thotë vetë Kurti, për me tradhtu e me u koritë kurrë nuk është vonë.
Ta zëmë që VV-ja e paska luftuar që të mos bëhet Gjykata Speciale, atëherë pse nuk hodhën edhe gaz lotsjellës në kuvend si për rastin e demarkacionit, por u mjaftuan vetëm me mosvotim?
Kurtit nuk iu dashtën 5 vjet, por veç 5 minuta pas mosvotimit për t’u koritur dhe prej asaj dite koritja me Gjykatën Speciale është bërë himni i jetës së tij.
Sepse bash ata që kanë luftuar më së shumti mund të tradhtojnë më së rëndi.
Me fjalët që vetë ai i bënte homazhe Arbënor Deharit, për Albin Kurtin mbikëqyrja e Gjykatës Speciale nuk është më as në nivelin e idealit të dëshiruar, e aq më pak mënyrë e të jetuarit dhe praktikë e përditshme.
Gjykata Speciale për të është, ashtu siç ka qenë nga fillimi, thjesht aleat që ia spastron skenën nga rivalët politikë dhe instrument për menaxhimin e opinionit publik.