Pretendimi i Vjosa Osmanit se Vetëvendosje dhe Albin Kurti duhej ta nominonin dhe mbështesnin atë për Presidente është një pranim nga ana e saj se, në pesë vitet që shkuan, ajo ishte Presidente në shërbim të pushtetit të Kurtit.

Të kërkosh, në mënyrë të natyrshme, nominimin dhe mbështetjen nënkupton se ekziston një borxh politik, se një pjesë e “tortës” nga fitorja e radhës i takonte edhe Osmanit për luftën e përbashkët kundër zërave kritikë dhe pjesës tjetër të skenës politike në vend.

Prandaj, ajo nuk është kurrfarë viktime e sistemit apo e padrejtësive nga jashtë.

Ajo, me vetëdije të plotë, ka punuar, e ka ushqyer dhe e ka mbrojtur një filozofi politike që, në thelb, prodhon kriza, prish marrëdhëniet me miqtë dhe synon pushtetin absolut.

Osmani ishte e heshtur përballë sulmeve të Albin Kurtit dhe figurave të tij politike ndaj mediave dhe shoqërisë civile, ndaj sindikatave të pavarura të punëtorëve, ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe hallkave të tjera të sistemit të drejtësisë.

Ajo heshti dhe, në shumë raste, e mbrojti dhe kontribuoi në kapjen e institucioneve të tjera të pavarura.

Siç deshi Kurti, nuk e dekretoi Kryeprokurorin; siç deshi Kurti, e shkarkoi kryetaren e KQZ-së; siç dëshironte Kurti, e interpretonte Kushtetutën edhe ajo në bllokadën e fundit politike për Kuvendin dhe Qeverinë; dhe, sipas vullnetit dhe kalkulimit elektoral të Kurtit, e caktoi edhe datën e zgjedhjeve, 28 dhjetorin.

Prandaj, kur e sheh aktivitetin partiak të Osmanit dhe shërbimin e pakursyer noterial për të gjitha poshtërsitë e Albin Kurtit, Osmani ka të drejtë të jetë e revoltuar se pse partia që me aq zell i shërbeu, tash s’po ia kthen me përkushtimin e njëjtë.