Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe, mban përgjegjësinë e veçantë për arritjen e kompromisit me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja, duke përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit.

Këto komente, Palatova i ka bërë në një editorial të publikuar të mërkurën pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku ka bërë thirrje për kapërcim të bllokadës politike, e cila, sipas saj, “është thelbësore dhe urgjente: tashmë është humbur shumë kohë”.

“Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, prioritetet janë të qarta: partia fituese ka një përgjegjësi të veçantë për t’u afruar me të gjithë spektrin politik, për të ndihmuar në ndërtimin e kompromiseve që jo vetëm do të çojnë në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, por edhe në zgjedhjen e Presidentit, duke respektuar plotësisht kërkesat kushtetuese dhe shumicat e nevojshme”, ka shkruar Palatova.

Në të njëjtën kohë, ajo vlerëson se “të gjitha partitë e zgjedhura kanë përgjegjësi të angazhohen në këto negociata me mirëbesim, për të arritur këtë qëllim”.

“Së bashku, ato duhet të vazhdojnë me reformat që do ta vendosin integrimin e Kosovës në BE në qendër të vendimmarrjes së tyre dhe të dëshmojnë se kompromisi në funksion të së ardhmes evropiane të Kosovës është i mundur”, potencon ajo.

Javët e ardhshme, në gjykimin e Shefes së zyrë së BE-së në Kosovë, kanë të bëjnë me më shumë sesa vetëm formimin e Qeverisë. “Ato kanë të bëjnë me rikthimin e funksionalitetit politik, rindërtimin e besimit publik dhe sigurimin që Kosova të përfitojë plotësisht nga momentumi i favorshëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian”.

“Kosova ka votuar. Tani është koha për të qeverisur — dhe për të ecur vendosmërisht përpara në rrugën e integrimit në BE”, shtoi ndër të tjera ajo.

Editoriali i plotë i Eva Palatova-s:

Ata votuan në shkurt të vitit 2025. Votuan sërish në dhjetor të vitit 2025. Dhe më 7 qershor të këtij viti, hodhën edhe një herë votën e tyre.

Çdo zgjedhje ishte paqësore, konkurruese dhe e administruar mirë. Së bashku, ato dëshmuan qëndrueshmërinë e demokracisë së Kosovës dhe përkushtimin e qytetarëve të saj për ta përcaktuar të ardhmen e vendit përmes mjeteve demokratike.

Por demokracia nuk përfundon në ditën e zgjedhjeve.

Qëllimi i zgjedhjeve është krijimi i institucioneve të afta për të qeverisur dhe për t’u ofruar shërbime qytetarëve. Pikërisht këtu, Kosova është përballur me një sfidë.

Zgjedhjet e shkurtit 2025 nuk çuan në formimin e një qeverie. Zgjedhjet e dhjetorit 2025 nuk prodhuan shumicën parlamentare të nevojshme për zgjedhjen e Presidentit. Kuvendi funksionoi vetëm për një periudhë të shkurtër, para se vendi të kthehej sërish në zgjedhje. Si rezultat, Kosova ka përjetuar një ngërç politik dhe institucional për pjesën më të madhe të një viti e gjysmë të kaluar.

Pasojat tashmë po bëhen të dukshme.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e qershorit ra ndjeshëm krahasuar me dhjetorin e vitit 2025. Edhe pse pjesëmarrja e votuesve ndikohet nga shumë faktorë, zgjedhjet e përsëritura pa rezultate të qarta politike rrezikojnë në mënyrë të pashmangshme të krijojnë zhgënjim dhe lodhje te qytetarët. Njerëzit presin që vota e tyre të sjellë jo vetëm përfaqësim, por edhe qeverisje efektive.

Gjykata Kushtetuese është thirrur vazhdimisht për të zgjidhur mosmarrëveshje dhe për të interpretuar dispozita kushtetuese. Gjykata e ka përmbushur rolin e saj me përgjegjësi dhe ka ndihmuar në ruajtjen e rendit kushtetues. Megjithatë, gjykatat nuk mund ta zëvendësojnë udhëheqjen politike. Sistemet demokratike në fund varen nga përfaqësuesit e zgjedhur që gjejnë zgjidhje përmes dialogut, kompromisit dhe një ndjenje të përbashkët përgjegjësie.

Kjo nuk është diçka unike vetëm për Kosovën. Në të gjithë Bashkimin Evropian, partitë politike garojnë fuqishëm gjatë zgjedhjeve, por pas tyre pritet të bashkëpunojnë në interes të stabilitetit institucional. Kompromisi nuk është shenjë dobësie. Ai është një aftësi thelbësore demokratike dhe qëndron në themel të vendimmarrjes së përditshme të Bashkimit Evropian. Teksa kosovarët synojnë anëtarësimin në BE, arritja e një kompromisi politik sot do të dërgonte një sinjal të qartë dhe konkret se liderët politikë të Kosovës janë të gatshëm të përqafojnë kulturën politike mbi të cilën është ndërtuar BE-ja.

Sot, nevoja për këtë kulturë politike dhe aftësia për kompromis është më e madhe se kurrë, sepse Kosova ka përpara një dritare mundësish që nuk duhet humbur.

Bashkimi Evropian e ka vendosur sërish fuqishëm zgjerimin në qendër të agjendës së tij politike. Siç tha Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, zgjerimi është një domosdoshmëri gjeostrategjike për Evropën dhe një investim në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë.

Bashkimi Evropian mbetet partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare. Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Kosova mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme deri në fund të vitit 2027. Në të njëjtën kohë, Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për vitet 2026 dhe 2027 dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor së bashku do të mobilizojnë 300 milionë euro të reja për reforma dhe investime në vitet e ardhshme.

Këto investime mund të ndihmojnë në modernizimin e infrastrukturës, forcimin e sigurisë energjetike, mbështetjen e bizneseve, përmirësimin e shërbimeve publike dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.

Por ekziston një realitet i thjeshtë: mundësitë kërkojnë institucione të afta për t’i shfrytëzuar ato.

Siç e tha qartë Presidenti Costa, Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i bëjë detyrat e shtëpisë për Kosovën. Përgjegjësia për avancimin e së ardhmes evropiane të Kosovës në fund i takon liderëve politikë dhe institucioneve të Kosovës.

Reformat e lidhura me Planin e Rritjes, fondet shtesë të IPA-s dhe rrugëtimin e përgjithshëm evropian të Kosovës kërkojnë vendime politike, veprime legjislative dhe zbatim efektiv. Asnjë partner i jashtëm nuk mund ta zëvendësojë udhëheqjen politike vendore.

Pikërisht për këtë arsye, Bashkimi Evropian vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që integrimin e Kosovës në BE ta bëjnë prioritet që tejkalon ndarjet partiake. Konkurrenca politike është një tipar normal dhe i shëndetshëm i demokracisë. Avancimi i së ardhmes evropiane të Kosovës duhet të jetë një objektiv i përbashkët.

Komisionerja Marta Kos së fundmi theksoi se forcat politike duhet të bashkohen për të ndërtuar stabilitet institucional. Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, gjithashtu bëri thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve dhe vuri në dukje se zgjedhjet e qershorit ofrojnë një mundësi për t’i dhënë fund më shumë se një viti bllokade politike.

Kjo është thelbësore dhe urgjente: tashmë është humbur shumë kohë.

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, prioritetet janë të qarta: partia fituese ka një përgjegjësi të veçantë për t’u afruar me të gjithë spektrin politik, për të ndihmuar në ndërtimin e kompromiseve që jo vetëm do të çojnë në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, por edhe në zgjedhjen e Presidentit, duke respektuar plotësisht kërkesat kushtetuese dhe shumicat e nevojshme. Në të njëjtën kohë, të gjitha partitë e zgjedhura kanë përgjegjësi të angazhohen në këto negociata me mirëbesim, për të arritur këtë qëllim. Së bashku, ato duhet të vazhdojnë me reformat që do ta vendosin integrimin e Kosovës në BE në qendër të vendimmarrjes së tyre dhe të dëshmojnë se kompromisi në funksion të së ardhmes evropiane të Kosovës është i mundur.

Qytetarët e Kosovës e kanë bërë pjesën e tyre. Ata kanë votuar vazhdimisht në zgjedhje të lira dhe demokratike, duke prodhuar çdo herë një rezultat politik të ngjashëm në përgjithësi: një Kuvend, përbërja e të cilit kërkon bashkëpunim ndërpartiak, dialog dhe kompromis, siç ndodh në demokracitë në të gjithë Evropën. Qytetarët tani meritojnë që mesazhi i tyre të dëgjohet dhe liderët e tyre politikë të formojnë institucione të afta për të sjellë rezultate.

Prandaj, javët e ardhshme kanë të bëjnë me më shumë sesa vetëm formimin e qeverisë. Ato kanë të bëjnë me rikthimin e funksionalitetit politik, rindërtimin e besimit publik dhe sigurimin që Kosova të përfitojë plotësisht nga momentumi i favorshëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Kosova ka votuar. Tani është koha për të qeverisur — dhe për të ecur vendosmërisht përpara në rrugën e integrimit në BE.